Sulmi i dytë ndaj skafit me drogë pranë Venezuelës shkakton debat në Kongres, Shtëpia e Bardhë: U eleminua kërcënimi i radhës i trafikantëve

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, refuzoi të hënën të japë detaje mbi arsyet pse u konsiderua e nevojshme një goditje e dytë amerikane ndaj një skafi që po lundronte pranë Venezuelës, pasi disa persona kishin mbijetuar nga sulmi i parë.

Sipas CNN, Leavitt deklaroi se skafi transportonte drogë dhe për këtë arsye përbënte kërcënim për SHBA-në. Por kur u pyet se çfarë rreziku paraqisnin të mbijetuarit pas sulmit të parë dhe pse duhej goditja e përsëritur, ajo nuk dha sqarime të mëtejshme.

“Admirali Bradley veproi brenda kompetencave dhe ligjit, duke urdhëruar goditjen për të siguruar shkatërrimin e plotë të mjetit lundrues dhe eliminimin e kërcënimit që përbënin trafikantët e drogës për Shtetet e Bashkuara,” tha Leavitt, duke iu referuar admiralit Frank M. ‘Mitch’ Bradley.

Ajo shtoi se çdo pyetje shtesë mbi arsyetimin e këtij vendimi duhet t’i drejtohet Departamentit të Mbrojtjes, pasi “nuk ka qenë e pranishme në sallën e vendimmarrjes”.

Lidhur me një rast tjetër në tetor, kur dy të mbijetuar u shpëtuan dhe u riatdhesuan, Leavitt tha se nuk ka dijeni për ndonjë ndryshim të politikës amerikane: “Jo, nga sa di unë.”

Ministri i Mbrojtjes informon Kongresin pas shqetësimeve për ligjshmërinë e sulmit

Shtëpia e Bardhë konfirmoi gjithashtu se ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka zhvilluar biseda me ligjvënës që shprehën shqetësim për sulmin e përsëritur më 2 shtator, i cili dyshohet se vrau çdo të mbijetuar të skafit të dyshuar për trafik droge në Karaibe.

“Sulmi u krye në ujëra ndërkombëtare dhe në përputhje me ligjin e konflikteve të armatosura,” tha zëdhënësja Leavitt.

Ajo nuk specifikoi se me cilët anëtarë të Kongresit është konsultuar ministri.

Ligjvënës nga të dyja partitë kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e urdhrit për goditjen e dytë, ndërsa kërkojnë transparencë mbi procedurat dhe justifikimet ligjore.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, deri tani janë zhvilluar 13 informime të mbyllura për Kongresin mbi operacionet në Venezuelë, si dhe disa seanca të posaçme për shqyrtimin e dokumenteve të klasifikuara, përfshirë opinionin ligjor të Departamentit të Drejtësisë.


Shtuar 1.12.2025 23:15