Sulmet ajrore izraelite që ndodhën në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, në orët e para të së enjtes, kanë lënë të vrarë pesë persona, duke e çuar në 33 numrin total të viktimave të shënuara në rreth 12 orë, shumica prej të cilëve ishin gra dhe fëmijë.
Associated Press shkruan se këto janë ndër sulmet më vdekjeprurëse që nga 10 tetori, kur hyri në fuqi një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Përshkallëzimi i ri erdhi pasi Izraeli deklaroi se trupat e tij ishin qëlluar në Khan Younis të mërkurën. Sipas autoriteteve izraelite, nuk pati viktima mes ushtarëve dhe ushtria u përgjigj me sulme ajrore.
Katër sulmet ajrore izraelite mbi çadrat që strehojnë të zhvendosurit në Khan Younis, nga mbrëmja e së mërkurës deri në mëngjesin e së enjtes, vranë 17 persona, përfshirë pesë gra dhe pesë fëmijë, sipas zyrtarëve të Spitalit Nasser.
Në qytetin e Gazës, dy sulme ajrore të tjera mbi një ndërtesë vranë 16 persona, mes të cilëve shtatë fëmijë dhe tre gra, sipas zyrtarëve të Spitalit Al-Shifa në pjesën veriore të qytetit, ku u dërguan trupat.
Hamasi e dënoi sulmin izraelit duke e quajtur një “masakër tronditëse”. Në një deklaratë, Hamasi mohoi se kishte qëlluar drejt trupave izraelite.
Në Spitalin Nasser, dhjetëra persona u mblodhën për të kryer lutjet e varrimit për viktimat e sulmeve izraelite. Gratë qanin me ngashërim pranë trupave të mbështjella me copën e bardhë.
AP shkruan se Abir Abu Moustapha humbi tre fëmijët e saj (të moshave 1, 11 dhe 12 vjeç) si dhe bashkëshortin, në një sulm që goditi çadrën e tyre të mërkurën. Ajo qëndronte e ulur pranë trupave të tyre ndërsa përgatiteshin për varrim.
“Fëmijët e mi nuk janë më. Çfarë të them? Edhe burri im, më i shtrenjti. Zoti i mëshiroftë. Çfarë faji kishin fëmijët e mi që duhej të vdisnin? Çfarë faji kishin që vdiqën para syve të mi?”, tha ajo.
Ushtria izraelite deklaroi se sulmet kishin në shënjestër dy figura të Hamasit, një komandant të njësisë detare dhe një tjetër përgjegjës për rrjetin e tuneleve në disa pjesë të Khan Younis.
