Aktori i njohur turk, Halit Ergenç, i identifikuar si “Sulejmani i Madhërishëm” për një nga rolet e tij më të pëlqyra është dënuar me burgim me kusht nga një gjykatë në Stamboll, pasi u shpall fajtor për dhënie dëshmie të rreme në procesin gjyqësor që lidhet me protestat e parkut Gezi të vitit 2013. Ai u dënua me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg për akuza që përfshijnë “përpjekje për përmbysje të qeverisë” dhe “pengim të funksioneve shtetërore”, të cilat Ergenç i ka mohuar në tërësi.
Dënimi erdhi pas hetimeve mbi agjenten Ayse Barim, e ndaluar që nga janari për lidhje të dyshuara me organizimin e protestave. Dyshohet se Barim kishte udhëzuar klientët e saj, përfshirë Ergençin dhe aktorin Riza Kocaoglu, të shprehnin publikisht mbështetje për protestuesit. Gjatë gjykimit, Ergenç deklaroi se nuk kishte pasur kontakte me organizatorët e protestës, por prokuroria paraqiti prova të kundërta, përfshirë pamje filmike që tregonin praninë e tij në protesta.
Edhe Riza Kocaoglu u dënua me 1 vit e 8 muaj burg me kusht. Megjithatë, gjykata vendosi shtyrjen e shpalljes së vendimit, çka nënkupton se dënimet nuk do të zbatohen nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepra të tjera penale në të ardhmen.
Halit Ergenç, i njohur për rolet e tij në serialet “Një mijë e një netë” dhe “Sulejmani i Madhërishëm”, mbetet një nga figurat më të dashura të ekranit turk, dhe rasti i tij ka tërhequr vëmendje të gjerë publike.
Protestat në parkun Gezi nisën në maj 2013 si një kundërshtim ndaj planeve për ndërtimin e një qendre tregtare në parkun e Stambollit, por u kthyen shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare kundër autoritarizmit të qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Rexhep Tajip Erdogan. Protestat u shoqëruan me përplasje të dhunshme, ndërhyrje policore dhe kritika të ashpra ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut.