Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar kaos në disa shtete. Reshjet e dendura të dëborës, ngricat dhe erërat e forta kanë krijuar kushte të rrezikshme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet.
Më të prekurat janë Kentaki, Virxhinia, Marilend dhe Karolina e Veriut, ku qindra aksidente rrugore janë regjistruar për shkak të ngricave dhe rrugëve të bllokuara nga dëbora. Stuhia ka lënë pa energji mbi 200,000 familje, ndërsa reshjet kanë arritur deri në 40 cm në disa zona. Aeroportet kryesore kanë pezulluar aktivitetin, duke anuluar ose shtyrë mbi 2,500 fluturime, përfshirë ato në Uashington dhe Virxhinia.
Për shkak të situatës së rënduar, shkollat dhe zyrat publike janë mbyllur, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme. Meteorologët paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave mund të ketë përmbytje, sidomos në zonat e Kalifornisë të prekura më parë nga zjarret.