Sot në Shtëpinë e Bardhë do mbahet një takim i nivelit të lartë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësve kryesorë evropianë, me fokus kryesor luftën Rusi-Ukrainë dhe sigurinë ndërkombëtare.
Pasditen e së hënës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte wshte i pari që mbërriti në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, i ndjekur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri britanik, Keir Starmer. Të gjithë u pritën nga Shefja e Protokollit, Monica Crowley.
Në takim pritet të marrin pjesë gjithashtu Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti finlandez Alexander Stubb si dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në prag të bisedimeve, Presidenti Trump deklaroi se gjatë mandatit të tij ka arritur të shuajë gjashtë konflikte ndërkombëtare, duke nënvizuar rolin e SHBA-së në ruajtjen e paqes globale.
Takimi i sotëm shihet si një moment vendimtar për koordinimin e qëndrimeve mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë mbi mbështetjen ndaj Ukrainës dhe strategjinë e ardhshme ndaj Rusisë.