Një skandal i gjerë korrupsioni ka përfshirë nivelet e larta të qeverisë ukrainase, duke çuar në dorëheqjen e ministres së Energjisë Svitlana Grynchuk dhe ministrit të Drejtësisë Herman Halushchenko.
Të dy dhanë dorëheqjen pas një hetimi të madh për abuzime në sektorin energjetik të vendit.
Presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi shkarkimin e tyre të mërkurën, vetëm dy ditë pasi agjencitë kundër korrupsionit akuzuan disa persona për një skemë masive përvetësimi fondesh në energji, përfshirë edhe operatorin shtetëror bërthamor Enerhoatom. Disa nga të përfshirët kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt të Zelenskyt.
Sipas akuzave, ministri Halushchenko dhe zyrtarë të tjerë të lartë dyshohet të kenë marrë pagesa të paligjshme nga kontraktorët që ndërtonin fortifikime kundër sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike.
Mes personave të implikuar janë ish-zv.kryeministri Oleksiy Chernyshov dhe biznesmeni Timur Mindich, bashkëpronar i ish-studios televizive të Zelenskyt, Kvartal95, i cili raportohet se është larguar nga vendi.
Halushchenko ka deklaruar se do t’i kundërshtojë akuzat, ndërsa Grynchuk u shpreh në rrjetet sociale se “në veprimtarinë time profesionale nuk ka pasur shkelje të ligjit”.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit bënë të ditur se hetimi, i zhvilluar për 15 muaj me rreth 1,000 orë përgjime, ka zbuluar përfshirjen e katër anëtarëve të qeverisë ukrainase.
Sipas tyre, rreth 100 milionë dollarë janë pastruar përmes skemës, dhe fotot e çantave me para të gatshme janë publikuar si prova. Një pjesë e fondeve dyshohet se është transferuar jashtë Ukrainës, përfshirë edhe në Rusi.
Prokurorët pretendojnë se paratë janë pastruar përmes një zyre në Kiev, e lidhur me familjen e ish-deputetit ukrainas dhe aktualisht senator rus, Andriy Derkach.
Skandali po ndodh në një moment kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, përfshirë nënstacionet që furnizojnë me energji centralet bërthamore.
Rasti pritet të nxjerrë sërish në pah problemin e thellë të korrupsionit në Ukrainë, pavarësisht punës së NABU dhe SAPO gjatë dhjetë viteve të fundit. Në korrik, protesta mbarëkombëtare shpërthyen pas ndryshimeve që kufizonin pavarësinë e këtyre dy institucioneve, duke rrezikuar statusin e Ukrainës si vend kandidat për BE.
