Siria mbështet vendimin e Rusisë për të njohur dy rajonet ukrainase

Siria ka thënë të martën se mbështet vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajonet ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, si të pavarura.

Këto rajone njihen si Donbas.

“Siria mbështet vendimin e presidentit Putin për të njohur republikat Luhansk dhe Donetsk dhe do të bashkëpunojë me to”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar ministrin e Jashtëm sirian, Faisal Mikdad.

Sipas agjencisë, Mihdad i ka bërë këto deklarata në Forumin Valdai në Moskë më 22 shkurt.

“Ajo çfarë Perëndimi po bën kundër Rusisë sot, është e ngjashme me atë që ka bërë kundër Sirisë gjatë luftës terroriste”, është cituar të ketë thënë ai.
Rusia është aleate e presidentit sirian, Bashar al-Assad prej shpërthimit të luftës në Siri më 2011.

Mikdad ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi vazhdojnë të mbështesin terrorizmin në Siri, i cili përbën kërcënim për Lindjen e Mesme dhe botën.

Më 21 shkurt presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ai do të njohë kërkesën e liderëve separatistë për pavarësim të të dyja rajoneve që ata kontrollojnë në Ukrainë.

Ai po ashtu ka thënë se do të dërgojë trupa ruse për të shërbyer si, siç i ka quajtur ai “paqeruajtës” – deklaratë të cilën Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar “pakuptim”.

Aktivistët pro-rusë në Donjeck duke festuar pasi presidenti rus, Vladimir Putin njohu pavarësinë e dy rajoneve ukrainase, të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit./REL

 


Shtuar 22.02.2022 10:56