Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump po planifikon që të takohet me dy homologët e tij, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky.
Sipas asaj që New York Time ka raportuar këtë të mërkurë mësohet se Trump është duke shqyrtuar mundësinë e një takimi me presidentin e Rusisë dhe atë të Ukrainës.
Takimet priten që të zhvillohen javën e ardhshme dhe do të mbahen njëra pas-tjetrës.
Më herët, i dërguari special i Trump, Steve Witkoff pati një takim “shumë produktiv” me presidentin rus.
Ishte vetë Donald Trump ai i cili përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh optimist duke bërë me dije se përgjatë atij takimi pati përparim të madh për bisedimet e paqes.
Sipas asaj që presidenti amerikan tha të dyja palët mesa duket kanë rënë dakord që kjo luftë duhet të përfundojë dhe për të arritur këtë qëllim ai është zotuar që do të punojnë në ditët dhe javët në vijim.
“Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt këtij qëllimi në ditët dhe javët në vijim”, shkruante Trump në Truth Social. Ndërkohë që pas këtij postimi telefonoi menjëherë Zelenskyn, se për çfarë biseduan ende nuk është bërë me dije.
Por, një reagim lidhur me këto zhvillime të fundit erdhi dhe nga presidenti ukrainas. Ai iu drejtua popullit të vet duke iu thënë se Rusia duket “më e gatshme” të vazhdojë me një armëpushim.
“Presioni që po ushtrohet mbi ta po jep fryte”, theksoi presidenti ukrainas.
Megjithatë, ai nuk e fshehu skepticizmin e tij në lidhje me qëllimet e fshehta të rusëve, duke vënë në dukje në mënyrë karakteristike: “Gjëja e rëndësishme është të mos mashtrohemi në detaje, as ne, as Shtetet e Bashkuara”.