Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë në konsultim publik disa ndryshime në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane për regjimin “Roaming Like At Home”.
Qëllimi është që brenda vitit 2026, qytetarët shqiptarë të përdorin telefonin në vendet e Bashkimit Europian pa pagesa shtesë për minuta, mesazhe ose internet, ashtu si në vendin tonë. Po të njëjtat përfitime do të kenë edhe qytetarët europianë që vizitojnë Shqipërinë.
Ligji parashikon gjithashtu uljen e kostove teknike mes operatorëve, për të siguruar që përfitimet të shkojnë direkt tek përdoruesit. Një risi tjetër është vendosja e gjobave për operatorët që nuk respektojnë rregullat e reja të Roaming.
