Shpresë mes luftës, Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë ushtarë të plagosur

Ukraina dhe Rusia konfirmuan të enjten një shkëmbim të ri të të burgosurve, i treti këtë javë sipas një marrëveshjeje të arritur gjatë bisedimeve të paqes në Turqi.

Në negociatat e javës së kaluar në Stamboll, të dyja palët ranë dakord të lironin më shumë se 1,000 të burgosur secila, të gjithë të plagosur ose nën moshën 25 vjeç, dhe të kthenin trupat e ushtarëve të vrarë në luftime.

“Sot, luftëtarët e Forcave tona të Armatosura, Gardës Kombëtare dhe Shërbimit të Rojës Kufitare janë kthyer në shtëpi. Të gjithë kanë nevojë për trajtim mjekësor”,-tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë gjithashtu konfirmoi shkëmbimin, duke thënë se një grup ushtarakësh rusë ishin kthyer nga Ukraina dhe tani ndodheshin në Bjellorusi.

Shkëmbimet shënojnë të vetmin rezultat të prekshëm nga dy raundet e fundit të bisedimeve për paqe në Stamboll. Rusia deri më tani ka hedhur poshtë thirrjet për një armëpushim pa kushte, duke kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga përpjekja e saj për në NATO dhe të heqë dorë nga territoret e pushtuara.

Të mërkurën, Rusia dorëzoi trupat e 1212 ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.


Shtuar 12.06.2025 18:50

Tags: ,