Një tjetër dënim është dhënë ndaj ish-ministres së Fondeve të BE-së në Kroaci, Gabrijela Zalac, e cila u shpall fajtore për keqpërdorim detyre dhe fondeve publike.
Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra Evropiane e Prokurorit Publik (EPPO), Zalac është dënuar me 7 muaj burg për përdorim të paligjshëm të rreth 10.000 eurove nga fondet e BE-së, të shpenzuara në darka dhe evente luksoze në të paktën nëntë raste të ndryshme.
Mediat kroate raportojnë se një nga shpenzimet përfshinte edhe festën e ditëlindjes së saj të 40-të, për të cilën po ashtu u përdorën fondet evropiane.
Zalac u shkarkua nga detyra në vitin 2019, ndërsa më herët ishte arrestuar në vitin 2021. Ajo ka pranuar fajësinë dhe ka rimbursuar shumën e plotë, duke përfituar një marrëveshje për ulje dënimi.
Ky nuk është rasti i vetëm ndaj saj. Në qershor 2025, ish-ministrja u dënua me 2 vite burg për një tjetër aferë korrupsioni, ku akuzohej për keqpërdorim të detyrës dhe ndikim të paligjshëm, në lidhje me tenderin për një sistem të ri IT-je në ministrinë që drejtonte.
Në atë rast, dëmi i shkaktuar ishte mbi 1.3 milion euro, ndërsa ajo u pajtua të kthejë 200 mijë euro si kompensim të pjesshëm për dëmin financiar.
Gabrijela Zalac është vetëm njëra nga disa figura të larta të partisë konservatore HDZ, të cilat janë dorëhequr ose dënuar për afera korrupsioni që prej ardhjes në pushtet të kryeministrit Andrej Pllenkoviq në vitin 2016.