Shkëmbim zjarri në kufirin Afganistan-Pakistan, shtohen tensionet midis talebanëve dhe Islamabadit

Autoritetet talebane akuzuan Pakistanin sonte se kishte goditur Afganistanin në kufirin midis dy vendeve, duke i detyruar ushtarët afganë të “përgjigjeshin”, por më pas situata u qetësua.

Shkëmbimi i zjarrit u konfirmua nga zyrtarë të të dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave po kalojnë një periudhë tensioni, me përplasje të përsëritura në javët e fundit.

“Fatkeqësisht, sonte, pala pakistaneze filloi të sulmonte Afganistanin, në Kandahar, në zonën Spin Boldak (jug), dhe forcat e Emiratit Islamik u detyruan të kundërpërgjigjeshin”, shkroi zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, në Platformën X, pa sqarime të mëtejshme.

Vendasit në anën afgane, të kontaktuar nga AFP, thanë se shkëmbimi i zjarrit filloi rreth orës 22:30 sipas kohës lokale dhe zgjati rreth dy orë. Ali Mohammad Hakmal, kreu i shërbimeve të inteligjencës së Kandaharit, fajësoi gjithashtu Pakistanin fqinj për fillimin e luftimeve, duke njoftuar më vonë se ato kishin mbaruar.

Pakistani përdori “artileri të rëndë dhe të lehtë” dhe predhat e mortajave goditën shtëpitë, tha ai.

“Luftimi ka ndaluar, të dyja palët kanë rënë dakord t’i japin fund”, shtoi ai, pa specifikuar nëse pati viktima.

Një korrespondent i AFP-së në anën pakistaneze, në Shaman, dëgjoi të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime.

“Pakistani mbetet vigjilent dhe i përkushtuar për të siguruar integritetin e tij territorial dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, tha një zëdhënës i Islamabadit, Mosharraf Zaidi, duke fajësuar afganët për “të shtëna të paprovokuara” në zonën e Shamanit.

Dhjetëra njerëz u vranë në tetor në përleshjet më të këqija kufitare midis dy vendeve që kur talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan në vitin 2021. Megjithëse u ra dakord për një armëpushim, të ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia, kufiri ka mbetur i mbyllur që nga 12 tetori dhe ka shkëmbime të shpeshta zjarri.

Më 25 nëntor, Kabuli akuzoi Pakistanin për bombardime që vranë 10 persona, nëntë prej të cilëve ishin fëmijë. Islamabadi e mohoi këtë informacion.


Shtuar 5.12.2025 23:36