Policia spanjolle ka shkatërruar një bandë grabitësish të përbërë nga ish-ushtarakë me origjinë nga Evropa Lindore, të cilët ishin kthyer në makthin e vilave luksoze në provincën jugore të Málagës.
Autoritetet Spanjolle konfirmuan arrestimin e gjashtë anëtarëve të grupit, mes tyre edhe kreun e tyre që raportohet të jetë një shqiptar. Gjatë operacionit, policia spanjolle tha se iu gjeti dhe iu sekuestroi grupit të grabitësve, bizhuteri, ora, para cash dhe armë. Në total, kjo bandë dyshohet të ketë kryer 71 grabitje në shtëpi dhe biznese luksoze kryesisht në Malaga e Marbella.
Në të paktën katër nga grabitjet, policia thotë se është përdorur dhunë fizike. Policia tha se grupi i grabitësve që njihte shumë mirë teknikat ushtarake, përdorte masa të rrepta sigurie personale me qëllim që të mos zbuloheshin. “Ata ishin të trajnuar për të hyrë në çdo lloj prone, pavarësisht lartësisë së mureve dhe perimetrit të tyre, vepronin shpejt dhe me efikasitet”, tha një zyrtar i policisë.
Sa për kreun e grupit, që siç raporton BBC dyshohet të jetë shqiptar, thuhet se ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet, duke mbajtur gjithmonë një armë zjarri.
Policia thotë se ka mundur të zbulojë grupin në fjalë falë ndihmës së një biznesmeni vendas.