Ish-ministri i Mbrojtjes, Shigeru Ishiba, pritet të bëhet kryeministër i ri i Japonisë të premten, pasi e fitoi një garë të ngushtë për ta udhëhequr Partinë në pushtet Liberal Demokrate (LDP).
Ishiba, 67 vjeç, e mposhti kandidaten nacionaliste Sanae Takaichi në balotazh, në një garë e cila ishte ndër më të paparashikueshmet për liderin e partisë në dekadat e fundit. Plot nëntë kandidatë garuan për këtë post.
Lideri i LDP-së, partisë e cila e ka udhëhequr Japoninë pothuajse përgjatë gjithë epokës pas luftës, e ka praktikisht të sigurt emërimin kryeministër i vendit për shkak se partia e ka shumicën në Parlament.
Kryeministri në largim, Fumio Kishida, njoftoi në gusht se do të japë dorëheqje për shkak të një varg skandalesh, të cilat zbehën popullaritetin e partisë.
“Ne duhet t’i besojmë popullit, duhet ta themi të vërtetën me guxim dhe sinqeritet, dhe të punojmë së bashku për ta bërë Japoninë vend të sigurt, ku të gjithë mund të jetojnë me buzëqeshje përsëri”, tha Ishiba gjatë një fjalimi të shkurtër para ligjvënësve pas votimit.
Qasja e tij ndaj diplomacisë me aleatin më të madh të Japonisë, SHBA-në, do të jetë në qendër të vëmendjes, duke qenë se ai vazhdimisht ka kërkuar që marrëdhëniet mes tyre të jenë më të baraspeshuara.
Gjatë fushatës së tij, ai bëri thirrje edhe për krijimin e një NATO-je aziatike, një ide e cila e ka zemëruar Kinën, dhe që është hedhur poshtë nga një zyrtar i lartë amerikan.
Ambasadori amerikan në Japoni, Rahm Emanuel, e uroi Ishibën për postin dhe tha se mezi pret të punojë me të për forcimin e aleancës SHBA-Japoni.
Ishiba u fut në Parlament më 1986, pas një karriere të shkurtër në bankë, por qëndrimet e tij kanë bërë që ai të ketë armiq brenda LDP-së.
Ai ishte lënë mënjanë nga kryeministri në largim Kishida, dhe u bë zë kundërshtar në parti, duke gëzuar përkrahje të madhe nga publiku dhe anëtarë të partisë.
Ai e ka kundërshtuar përdorimin e rritur të energjisë bërthamore dhe e ka kritikuar partinë e vet për moslejimin e çifteve të martuara të përdorin mbiemra të ndarë.