Shifrat e “UN Women”: Dy nëna vriten në Gaza për çdo orë

Në raportin e organizatës UN Women të publikuar sot thuhet se dy nëna vriten në Rripin e Gazës çdo orë që nga fillimi i armiqësive më 7 tetor.

“Që atëherë, ne kemi parë edhe një herë me dëshmi se gratë dhe fëmijët janë viktimat e para të konfliktit dhe se detyra jonë për të kërkuar paqen është një detyrë ndaj tyre”, tha drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous.

Gratë dhe fëmijët përbëjnë afërsisht 70 për qind të personave të vrarë në luftën në Gaza, sipas raportit.

“Këta janë njerëz, jo numra, dhe ne po dështojmë ndaj tyre. Ky dështim dhe trauma e gjeneratave të shkaktuara mbi popullin palestinez gjatë këtyre 100 ditëve e më shumë, do të na ndjekë të gjithëve për brezat që do të vijnë”, tha Bahous.

UN Women shprehu gjithashtu shqetësimin për “rrëfimet tronditëse të dhunës seksuale të pandërgjegjshme” dhe bëri thirrje për përgjegjësi, drejtësi dhe mbështetje për të prekurit. Sipas raportit, të paktën 3 mijë gra mund të jenë bërë të veja dhe kryefamiljare, dhe të paktën 10 mijë fëmijë mund të jenë tani pa baba.

 


Shtuar 19.01.2024 23:03