Shefi i NATO-s jep alarmin: Ne jemi targeti i radhës i Putinit, vendet anëtare duhet të shtojnë me shpejtësi shpenzimet ushtarake, të jemi gati

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte është i bindur se Nato do të jetë target i radhës i Rusisë. Deklarata e shefit te organizatës euroatlantike u bë gjatë një fjalimi në Berlin.

“Jam këtu për tju thënë se ku qëndron NATO dhe cfarë duhet të bëjmë për të ndaluar një luftë përpara se të fillojë. Dhe për ta bërë këtë, ne duhet të jemi të qartë si kristali rreth rrezikut: ne jemi targeti i radhës i Rusisë dhe ne tashmë jemi të rrezikuar”.

“Frikësohem se shumë nuk e marrin seriozisht. Shumë nuk e ndjejnë urgjencën. Dhe të tjerë mendojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për të vepruar është tani. Shpenzimet për mbrojtjen dhe prodhimin duhet të rriten me shpejtësi. Forcat tona të armatosura duhet të kenë cfare duhet për tu ndjerë të sigurt” tha ai lidhur me kërkesën për rritjen e fondeve të vendeve anëtare të aleancës në shpenzimet e mbrojtjes.

Rutte tha se Rusia “është bërë edhe më e pacipë, e pamatur dhe e pamëshirshme ndaj NATO-s dhe ndaj Ukrainës”.

“Gjatë luftës së ftohtë, presidenti Reagan paralajmëroi për impulsat agresive të një perandorie të së keqes. Sot, presidenti Putin është sërish në biznesin e ndërtimit të perandorisë”.

Ai paralajmëroi se “në këndvështrimin e tij të shtrembëruar për historinë dhe botën, Putini beson se liria jonë rrezikon kapjen e tij të hekurt mbi pushtetin dhe se ne duam të shkatërrojmë Rusinë”.

Ai thotë se Kina është “vija e shpëtimit” e Rusisë që i mundëson asaj të ndjekë vijën e saj agresive, dhe se ajo mbështetet nga Koreja e Veriut dhe Irani.

Rutte e lavdëroi në mënyrë të qëllimshme Trump-in për përpjekjet e tij, duke thënë se “ai është i vetmi që mund ta çojë Putinin në tryezën e negociatave”.

“Pra, le ta vëmë Putinin në provë. Le të shohim nëse ai me të vërtetë dëshiron paqe apo preferon që masakra të vazhdojë,” thotë ai.

Por shtoi se është e rëndësishme që “të gjithë ne të vazhdojmë presionin ndaj Rusisë dhe të mbështesim përpjekjet e sinqerta për t’i dhënë fund këtij luftimi”.


Shtuar 11.12.2025 16:38

Tags: ,