SHBA afat të ri për luftën në Ukrainë, Zelensky: Bisedimet e ardhshme mund të mbahen në Uashington

Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një axhendë ambicioze për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke kërkuar një marrëveshje paqeje me Rusinë brenda marsit 2026 dhe një përfundim të plotë të konfliktit deri në qershor.

Administrata amerikane, nëpërmjet të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndrit të presidentit amerikan Jared Kushner, po nxit palët të arrijnë një marrëveshje që përfshin referendum kombëtar dhe zgjedhje në Ukrainë, me qëllim të sigurojë një tranzicion politik të qetë dhe legjitim. Objektivi, sipas mediave të huaja, është që çdo marrëveshje të votohet nga populli ukrainas dhe të reflektojë sovranitetin e vendit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se SHBA kanë dhënë një ultimatum për të arritur marrëveshjen deri në qershor 2026. Ai deklaroi se raundet e ardhshme të negociatave mund të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, me diskutime për armëpushim dhe garanci sigurie në ditët në vijim.
Zelensky theksoi se negociatat nuk janë të lehta: Territori i Donbas, kontrolli mbi stacionin bërthamor Zaporizhzhia dhe garancitë për sovranitetin janë çështje kyçe që pengojnë arritjen e marrëveshjes.

Ndërkohë që Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe duke rritur presionin mbi qeverinë dhe civilët.

Raundet e fundit të bisedimeve trepalëshe në Abu Dhabi nuk sollën marrëveshje përfundimtare, megjithatë pati shkëmbim të 314 të burgosurish si pjesë e përpjekjeve diplomatike.

Aleatët perëndimorë, përfshirë Britaninë e Madhe, mbështesin përpjekjet diplomatike të SHBA, por theksojnë se marrëveshjet paqeje të qëndrueshme kërkojnë kompromis të thellë nga të dyja palët, gjë që deri tani nuk është arritur.

Ekspertët e sigurisë dhe diplomatët paralajmërojnë se afatet e SHBA janë ambicioze, duke qenë se situata në terren dhe mosmarrëveshjet territoriale e bëjnë të vështirë një armëpushim të qëndrueshëm brenda gjashtë muajve.


Shtuar 7.02.2026 17:30