Ditën e sotme Serbia ka dërguar një notë proteste drejt ministrit të Jashtëm të Kroacisë, pasi ky i fundit e përshkroi presidentin Vuçiç si një satelit rus në Ballkan. Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, tha për televizionin N1 të shtunën se Aleksandër Vuçiç duhet të vendosë në cilën anë është, Rusisë apo Bashkimit Evropian, sepse është e pamundur dhe e pakëndshme të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë.
“Ai nuk duhet të ketë një dilemë të madhe”, ka theksuar Grlic Radman.
Pas kësaj, ka ardhur reagimi nga Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë serbë.
“Ministri kroat jo vetëm që ndërhyn brutalisht në punët e brendshme të Serbisë, por si zakonisht gënjen dhe fyen popullin serb dhe kërcënon qytetarët e tij”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Ndërsa në notën e saj protestuese, ministria e Jashtme e Serbisë tha se pret që në të ardhmen zyrtarët kroatë të përmbahen nga deklaratat që paraqesin ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë dhe të udhëheqin një politikë pajtimi dhe marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy shteteve.