Serbia do të jetë vendi i parë që do të testojë vaksinën e re eksperimentale kundër kancerit Enteromix, e cila është prodhuar në Rusi.
Kjo vaksinë do të jetë e ‘personalizuar’ dhe e lehtë për tu prodhuar në Europë duke vënë në punë inteligjencën artificiale. Enteromix është prodhuar në Qendrën për Kërkime Mjekësore dhe Radiologjike në Moskë.
Ministri për Bashkëpunimin Ekonomik, Nenad Popovic, dekaroi se do të duhen vetëm shtatë ditë për të kombinuar materialin gjenetik të pacientit me indin tumoral dhe për të ndërhyrë në trajtimin e metastazave të shkaktuara nga melanoma ose kanceri i zorrës së trashë.
Kjo nismë vjen si rezultat i një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Një delegacion rus ka vizituar tashmë Beogradin për të inspektuar ambientet spitalore, dhe është krijuar një grup i përbashkët pune. Deri në fund të vitit, një ekip mjekësh serbë, përfshirë onkologë, mikrobiologë dhe specialistë të sëmundjeve infektive do të udhëtojë drejt Moskës për të ndjekur trajnime dhe për të marrë pjesë në fazat klinike në institutet Gamaleya dhe Gertsen.
Dozat e para pritet të prodhohen në Spitalin Torlak në Beograd, me planet për administrim që nga viti 2026. Vaksina nuk do të jetë vetëm për pacientët vendas, por edhe për ata nga vende të tjera evropiane.
Kjo iniciativë përbën një kapitull të ri në atë që shumë e quajnë “diplomaci vaksinash”, një strategji e ngjashme me atë që Rusia përdori gjatë pandemisë së COVID-19. Në atë kohë, para se vaksinat perëndimore si Pfizer dhe AstraZeneca të bëheshin të disponueshme, mijëra qytetarë evropianë udhëtonin drejt Beogradit për t’u vaksinuar me Sputnik V, vaksina ruse që u promovua si “antidoti revolucionar”.
Megjithatë, përpjekjet për prodhimin masiv të vaksinës ruse në Serbi u penguan nga reagimet e ashpra ndërkombëtare, presioni i industrisë farmaceutike perëndimore dhe implikimet politike. Si pasojë, Beogradi u detyrua të kufizojë prodhimin dhe shpërndarjen vetëm në disa vende afrikane.
Enteromix nuk është një vaksinë parandaluese, por një trajtim eksperimental që synon reduktimin e masës tumorale nëpërmjet injektimit të katër viruseve të padëmshme. Sipas studiuesve rusë, këto viruse shkatërrojnë deri në 60-80% të masës tumorale, duke forcuar sistemin imunitar pa dëmtuar organet dhe me efekte anësore minimale.
Megjithatë, komuniteti shkencor ndërkombëtar është ende skeptik pasi deri tani, rezultatet pozitive janë parë vetëm në kafshë. Provat e para klinike me njerëz kanë filluar vetëm në qershor 2025, me një grup prej 48 vullnetarësh të moshës 18–75 vjeç. Për të pasur prova të besueshme dhe të publikueshme, kërkohen vite kërkimi dhe testimesh në qindra pacientë.
Për më tepër, Rusia prezantoi për herë të parë këtë vaksinë në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, një platformë më shumë politike sesa shkencore, duke shmangur një prezantim transparent përpara komunitetit shkencor ndërkombëtar.
Përtej aspektit mjekësor, projekti Enteromix reflekton edhe tensionet politike dhe gjeopolitike në rajon. Serbia, e vetmja në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, ruan lidhje të ngushta me Moskën, ndërsa zyrtarisht aspiron integrimin në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, Serbia po përballet me sfida serioze energjetike. Kompania shtetërore e naftës, NIS, është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse, ndërsa vendi është plotësisht i varur nga gazi rus. Nga janari 2026, Serbia nuk do të mund ta marrë më gazin përmes rrugëve tradicionale që kalojnë në BE. Në vend të kësaj, do të përdorë Rrjedhën Ballkanike përmes Bullgarisë dhe Hungarisë, një alternativë që autoritetet serbe e quajnë “katastrofë ekonomike”.
Presidenti Vuçiç është takuar së fundmi me kryeministrin hungarez Viktor Orban për të diskutuar këtë çështje dhe pritet të marrë pjesë në një samit në Budapest ku do të jetë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Për të lehtësuar udhëtimin e Putinit, i cili rrezikon arrestimin në shumë vende për shkak të një urdhri ndërkombëtar, Serbia ka ofruar një korridor të sigurt përmes Turqisë, Mesdheut dhe Malit të Zi.