Pjesëtarët e Brigadës së 72-të për Operacione Speciale në ushtrinë serbe dhe njëra prej brigadave speciale në ushtrinë e Kinës, i kanë kryer stërvitjet e përbashkëta në provincën Hebei të Kinës në periudhën 19-28 korrik.
“Stërvitjet i ka dhënë shtysë forcimit të bashkëpunimit ushtarak dhe e kanë përmirësuar aftësinë e ndërsjellë të ekipeve luftarake për të kryer detyra me forcat e armatosura të huaja dhe në mjedis ndërkombëtar”, ka deklaruar Ministria për Punë të Jashtme e Serbisë.
Këto kanë qenë stërvitjet e para të përbashkëta që janë kryer mes Kinës dhe Serbisë, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe njëkohësisht shtet që mban lidhje të ngushta me Pekinin dhe Moskën.
Në vjetët e fundit, Serbia, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit dhe Uashingtonit, e ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Kinën – krahas atij politik dhe ekonomik – duke blerë armë kineze.
Serbia është bërë shteti i parë në Evropë që ka blerë sisteme kineze për mbrojtje ajrore FK-3.
Ministria serbe e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ekipe të ndryshme luftarake kanë marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta “Paqeruajtësi 2025”, dhe janë marrë me sfida taktike në ambiente urbane dhe rurale.
“Fokusi ka qenë në taktikat e përdorimit të dronëve përgjatë zbatimit të detyrave të forcave speciale, dhe në aktivitete që kanë përfshirë zjarr”, është thënë në deklaratë.
Më 2020, Serbia i ka blerë gjashtë mjete të reja ajrore pa pilot CH-92A nga Kina, dhe dy vjet më vonë edhe tri sisteme për mbrojtje ajrore FK-3.
Kështu, Serbia është bërë përdoruese e raketave dhe dronëve kinezë në Evropë.
Përgjatë një prezantimi të pajisjeve të reja të ushtrisë serbe, në prill të vitit 2023, janë parë edhe pajisjet kineze.
Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për armët që blen Serbia prej Rusisë dhe Kinës.
Pas njoftimit për trajnim ushtarak, Brukseli ka thënë përmes një deklarate se Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bën dhe që janë në kundërshtim me politikën e jashtme të BE-së.
“Kemi nevojë që Serbia të na bindë për drejtimin e vet strategjik”, ka thënë një zyrtar i BE-së për Radion Evropa e Lirë, atëbotë.
Obligimi i Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, është që të jetë në linjë me politikën e jashtme të BE-së, diçka që Brukseli ia ka kërkuar vazhdimisht Beogradit.
Serbia është neutrale ushtarakisht, por është anëtare e programit të NATO-s, “Partneriteti për Paqe” dhe synimi i saj strategjik është anëtarësimi në BE.
Beogradi zyrtar tenton vazhdimisht të balancojë politikën e jashtme në mes të Perëndimit, Kinës dhe Rusisë, e cila është e izoluar nga sanksionet e Perëndimit, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë. /Rel