Pas rreth tre orësh bisedimesh me dyer të mbyllura, presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin dolën para mediave në Anchorage, Alaska, për një konferencë për shtyp — ku nuk u lejuan pyetje.
Megjithëse nuk u arrit asnjë marrëveshje konkrete për paqe apo armëpushim në Ukrainë, të dy liderët dhanë sinjale për vazhdim të komunikimit dhe vullnet për negociata të mëtejshme.
Cfarë tha Donald Trump?
Asnjë marrëveshje konkrete: “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një të tillë,” tha Trump në fillim të deklaratës, duke pranuar mungesën e një rezultati të prekshëm.
Progres i papërcaktuar: “Bëmë përparim të madh,” tha ai, pa ofruar detaje. Ai u largua nga konferenca pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Shkëmbim ftesash me Putinin: Trump tha se “do të flasin sërish shumë shpejt” dhe u përgjigj me interes kur Putin e ftoi “herën tjetër në Moskë”, duke shtuar: “Do të kritikohem pak për këtë, por mund ta shoh të mundshme që të ndodhë.”
Cfarë tha Vladimir Putin?
Lufta lidhet me sigurinë ruse: “Situata në Ukrainë ka të bëjë me kërcënimet themelore për sigurinë tonë,” tha Putin, duke e konsideruar konfliktin si pasojë të mosadresimit të shqetësimeve strategjike të Rusisë.
Kërkesa për adresimin e “shkaqeve të konfliktit”: “Për ta bërë zgjidhjen të qëndrueshme dhe afatgjatë, duhet të eliminojmë të gjitha rrënjët e konfliktit,” u shpreh ai, duke nënkuptuar nevojën për një rikonfigurim të arkitekturës së sigurisë në Evropë.
Rusia e gatshme për bashkëpunim: “Ne jemi të përgatitur të punojmë për këtë. Shpresoj që marrëveshja që kemi arritur së bashku (me Trump) do të na ndihmojë të afrohemi me këtë qëllim.”
Përmendi sigurinë e Ukrainës: Putin theksoi se edhe siguria e Ukrainës duhet të garantohet në çdo marrëveshje të mundshme.