Presidenti amerikan, Donald Trump ka publikuar një video të re të bisedës së tij me gazetarët në Air Force One, në të cilën ai përgjigjet në detaje rreth asaj që do të konsiderohet një sukses i samitit të sotëm me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Trump shprehet se do të shohë një armëpushim.
Ai më tej është shprehur se nuk e di nëse kjo do të arrihet sot por nesë nuk do të ndodhe nuk do të jetë aspak i lumtur për këtë rezultat. Takimi do të nisë në orën 21:00 (me orën okale në Shqipëri), në Alaskë.
“Nuk mund t’ju them këtë. Nuk e di nëse ka ndonjë gjë përfundimtare. Dua gjëra specifike. Dua të shoh një armëpushim. Kjo nuk ka të bëjë fare me Evropën. Evropa nuk më thotë çfarë të bëj, por ata do të përfshihen në proces, natyrisht, ashtu si edhe Zelenskyy, por unë dua të shoh një armëpushim shpejt.
Nuk e di nëse do të ndodhë sot, por nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot. Të gjithë thonë se nuk mund të ndodhë sot, por unë thjesht po them se dua që vrasjet të ndalen. Jam këtu për të ndaluar vrasjet. E dini, ne nuk japim para. Ne fitojmë para. Ata blejnë armët tona, ne i dërgojmë në NATO dhe NATO na dërgon çekë të mëdhenj e të mirë. Por kjo nuk më shqetëson… Ajo që më shqetëson është se javën e kaluar ata humbën 7,011 njerëz, pothuajse të gjithë ushtarë. 36 persona në një qytet që u godit nga një raketë. Mbi 7,000 ushtarë. Është çmenduri,’ tha Trump.
Tema kryesore e samitit do të jetë konflikti në Ukrainë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe dhënien fund të luftës që vazhdon prej disa vitesh. Liderët pritet të diskutojnë edhe për çështje të ndjeshme si kufijtë dhe shkëmbimi i territoreve, teza që kanë qarkulluar prej kohësh. Takimi fillestar do të jetë ‘kokë më kokë’, i ndjekur më pas nga një sesion me delegacionet përkatëse dhe një drekë pune.