Presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi një mesazh kundër Perëndimit lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, teksa qëndroi krah për krah me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, teksa të dy liderët vunë në pah lidhjet e tyre të ngushta gjatë samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), në Kinë.
Duke folur para udhëheqësve të tjerë në samitin dyditor në Tianjin, më 1 shtator, Putini tha se lufta në Ukrainë nuk erdhi “si rezultat i një sulmi rus”, por për shkak të një grusht shteti të mbështetur nga Perëndimi në Kiev, sipas deklaratave të transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve TASS.
Këto deklarata ishin një referencë e pasaktë për protestat e Majdanit, të cilat rrëzuan nga pushteti presidentin ukrainas pro-Moskës, Viktor Yanukovych, në vitin 2014, pasi ai hoqi dorë nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe u orientua nga Rusia.
Putini shtoi – ajo që ai e quajti përpjekje të Perëndimit për të tërhequr NATO-n në Ukrainë – përbënte një “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë”, një pretendim që aleanca ushtarake e ka mohuar vazhdimisht.
Më pas, Putin lavdëroi SCO-në – ku bëjnë pjesë Bjellorusia, Kina, India, Irani, Kazakistani, Kirgizia, Pakistani, Rusia, Uzbekistani dhe Taxhikistani – dhe duke e cilësuar si model për një “sistem që do të zëvendësonte modelet e vjetruara të Evropës Qendrore dhe euroatlantike”, duke iu referuar organizatave financiare dhe të sigurisë të mbështetura nga Perëndimi, të cilat kanë formësuar institucionet globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
Këto komente erdhën në ditën e dytë të samitit të SCO-s, samit që veçse ishte i përqendruar te ndikimi në rritje diplomatik i Kinës, përfshirë edhe shumë momente të orkestruara që synonin të tregonin thellimin e marrëdhënies midis Pekinit dhe Moskës, duke nxjerrë në pah raportin e ngushtë personal midis Putinit dhe Xisë.