Saar: Izraeli nuk do të pranojë dislokimin e trupave turke në Gaza

Izraeli nuk do ta pranojë praninë e forcave të armatosura turke në Gaza sipas planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në territorin palestinez përgjithmonë, tha ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar.

Plani i presidentit të SHBA-së Donald Trump përfshin një forcë ndërkombëtare në Gaza për të ndihmuar në sigurimin e armëpushimit që filloi këtë muaj – duke i dhënë fund dy viteve luftë midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.

Por, mbetet e paqartë nëse shtetet arabe dhe vendet e tjera do të jenë të gatshme të angazhojnë trupa në forcën ndërkombëtare.

“Vendet që duan ose janë të gatshme të dërgojnë forca të armatosura duhet të jenë të paktën të drejta ndaj Izraelit”, tha Saar në një konferencë për shtyp, në Budapest.

Marrëdhëniet dikur të ngrohta turko-izraelite u përkeqësuan në mënyrë drastike gjatë luftës në Gaza – pasi residenti turk, Tayyip Erdogan kritikoi ashpër fushatën shkatërruese ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e vogël palestineze.

“Turqia, e udhëhequr nga Erdogan pati një qasje armiqësore ndaj Izraelit”, tha Saar, duke folur së bashku me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.

“Nuk është e arsyeshme për ne që t’i lejojmë forcat e armatosura turke të hyjnë në Rripin e Gazës. Ne nuk do të pajtohemi me këtë, ua kemi thënë edhe miqve tanë amerikanë”, tha Saar.

Ndërsa administrata Trump ka përjashtuar dërgimin e ushtarëve amerikanë në Rripin e Gazës, ajo ka folur me Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Katarin, Turqinë dhe Azerbajxhanin për të kontribuar në forcën shumëkombëshe.

Javën e kaluar, Netanyahu la të kuptohej se do të ishte fuqimisht kundër çdo roli për forcat turke të sigurisë në Gaza.


Shtuar 27.10.2025 18:01

Tags: ,