Përmes sulmeve masive me raketa në Ukrainë këtë javë dhe njoftimit për rifillimin e prodhimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, Moska po rrit trysninë mbi aleatët e NATO-s ndërsa udhëheqësit e aleancës perëndimore po përmbyllin takimin në e tyre në Uashington.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, veprimet e Rusisë përkojnë me 75 vjetorin e themelimit të NATO-s, që u shënua në Uashington.
Një ditë përpara takimit të udhëheqësve të NATO-s në Uashington për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës Atlantike, Rusia nisi një sulm masiv ndaj Ukrainës, përfshirë ndaj kryeqytetit të saj, gjatë orëve të ditës.
Forcat ruse përdorën raketa me rreze të mesme veprimi, që Moska njoftoi se do të rifillojë t’i prodhojë në masë. Këto lloje raketash mund të pajisen me mbushje bërthamore.
Rifillimi i prodhimit të këtyre raketave i mundëson Moskës të vazhdojë sulmet e saj në Ukrainën qendrore dhe perëndimore. Njoftimi erdhi pasi Rusia tha se Shtetet e Bashkuara po prodhonin sisteme raketore dhe po i dislokonin ato në Danimarkë dhe Filipine, ndërkohë që NATO vazhdoi zgjerimin e saj, duke miratuar vitin e kaluar anëtarësimin në aleancë të Suedisë dhe Finlandës.
“Mendoj se Rusia do ta kishte bërë këtë edhe nëse zgjerimi i NATO-s nuk do të kishte ndodhur. Rusia ka nevojë për këto lloje raketash edhe për luftën në Ukrainë. Pra, unë nuk pajtohem me idenë se kjo është për shkak të zgjerimit të NATO-s apo për arsye të tjera. Por, natyrisht Putini dhe Kremlini duan të japin përshtypjen se vendimi i tyre lidhet me zgjerimin e NATO-s”, tha për Zërin e Amerikës Jacob Kaarsbo, analist i politikave të sigurisë në organizatën “Think Tank Europa”.
Kremlini vazhdimisht akuzon vendet perëndimore për përshkallëzimin e tensioneve nëpërmjet furnizimit të Ukrainës me sisteme kundërajrore, tanke dhe avionë luftarakë. Por disa analistë paralajmërojnë se kërcënimet e fundit të Moskës për të rritur kapacitetet e saj me raketa duhet të merren seriozisht.
“Kërcënimit që po bën Putini për përdorimin e armëve bërthamore nuk duhet t’i ulet rëndësia. Kjo nuk është diçka që mund të nënvlerësohet nga një vëzhgues apo analist i përgjegjshëm i sigurisë kombëtare. Mund të jetë një kërcënim bosh apo i besueshëm, që një Putin shumë i dëshpëruar mund të përdorë një pjesë të arsenalit të tij taktik bërthamor”, tha për Zërin e Amerikës analisti Mark Hannah nga Instituti për Çështjet Globale.
Rusia nuk e ka arritur fitoren e shpejtë dhe të qartë që shpresonte kur filloi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në vitin 2022 dhe është ende e paqartë se cila palë do ta fitojë atë që tani konsiderohet një luftë shkatërrimtare me përparime të pakëta nga palët dhe me shumë viktima.
Vëzhguesit thonë se ky skenar e bën Moskën të kërkojë masa më drastike dhe dëshpëruese, me shpresën për të ushtruar trysni mbi vendet perëndimore, që ato të pakësojnë mbështetjen për Ukrainën./VOA