Një sulm intensiv rus ndaj Kievit gjatë natës tregon se Moska nuk dëshiron paqe, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa përgatitet për një raund të ri bisedimesh për paqe. Zelensky i bëri komentet gjatë rrugës për në Florida, ku do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump të dielën për të diskutuar një plan të ri paqeje prej 20 pikash të dakordësuar nga të dërguarit amerikanë dhe ukrainas.
Autoritetet lokale thanë se breshëria 10-orëshe me raketa dhe dronë të drejtuara drejt kryeqytetit të Ukrainës vrau dy persona dhe la 32 të plagosur. Dëmtimi i infrastrukturës energjetike la 40% të ndërtesave të banimit në Kiev dhe lagjet përreth pa ngrohje, sipas ministrit të Zhvillimit të Ukrainës, Oleksiy Kuleba.
BBC shkruan se, Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se armë precize me rreze të gjatë veprimi u përdorën për të synuar objektet e energjisë, të cilat, sipas saj, po përdoreshin në interes të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe ndërmarrjeve të kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës.
Duke shkruar në Telegram, Zelensky tha se Rusia drejtoi pothuajse 500 dronë dhe 40 raketa drejt Kievit, duke synuar infrastrukturën energjetike dhe civile. Fotografitë tregonin vrima të hapura në ndërtesa apartamentesh dhe shtëpi në flakë pas sulmeve. Blloku i apartamenteve të gazetares së BBC-së, Anastasiya Gribanova, u godit, duke lënë disa shtëpi në katet e sipërme të ndërtesës shumëkatëshe në flakë. Gribanova, e cila ndodhej në ashensorin e ndërtesës në atë kohë, nuk u lëndua.
