Rriti qiranë e pronës së saj me 700 paund, ministrja britanike për të pastrehët jep dorëheqjen pas akuzave për abuzim

Ministrja britanike për çështjet e të pastrehëve, Rushanara Ali, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj, ka konfirmuar sot Downing Street. Vendimi vjen në mes të kritikave të ashpra për mënyrën se si ajo menaxhoi një pronë me qira në pronësi të saj në Londrën Lindore.

Në një letër drejtuar Kryeministrit britanik, Ali deklaroi:

“Me zemër të thyer paraqes dorëheqjen time nga pozicioni i ministres”, duke shtuar se qëndrimi në këtë rol do të ishte një shpërqendrim nga puna ambicioze e kësaj qeverie, raporton Sky News.
Skandali u zbulua nga e përditshmja “The i Paper”, e cila raportoi se katër qiramarrës në shtëpinë e Alit në Londrën lindore u njoftuan në nëntor se kontrata e tyre nuk do të rinovohej dhe kishin afat katër muaj për t’u larguar.

Sipas raportimeve, menjëherë pas largimit të tyre, prona u rikthye në treg me një rritje të qirasë prej 700 paund në muaj.

Rasti ngjalli zemërim të madh publik dhe politik, sidomos nga organizatat bamirëse dhe opozita.

Kryetari i Partisë Konservatore, Kevin Hollins, e akuzoi Ali për “hipokrizi të hapur”, duke vënë në dukje se si një ministre për të pastrehët, ajo nuk duhej të përfitonte nga një veprim që i linte njerëzit pa strehë.

Ali, përmes një zëdhënësi, mbrojti veprimet e saj, duke thënë se ka respektuar të gjitha detyrimet ligjore dhe ka vepruar sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer e pranoi dorëheqjen dhe e falënderoi për punën e saj, pa komentuar më tej mbi rasti.


Shtuar 7.08.2025 23:40