Rrëzoi aeroplanët rusë, ky është droni detar i Ukrainës që bëri histori

Ukraina rrëzoi dy aeroplanë luftarakë rusë që u dërguan për të kapur dronët e marinës ukrainase në Detin e Zi.

Siç raportohet, bëhet fjalë për një lloj droni të armatosur detar deri tani i panjohur që përdor raketa amerikane Sidewinder.

Më herët u njoftua se Ukraina rrëzoi një Su-30 Flanker rus. Tashmë është konfirmuar se një aeroplan tjetër i të njëjtit lloj është rrëzuar në të njëjtën ditë.

Dhe këta janë aeroplanët e parë luftarakë në histori që u shkatërruan nga një dron detar.

Sipas deklaratave të kreut të shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, gjeneral kolonel Kirill Budanov, si dhe presidentit Volodymyr Zelensky, sulmi u krye nga forcat ukrainase duke përdorur një version të ri të dronit Magura.

Edhe pse disa burime më parë pohuan se ishte një dron Magura V5, bëhet e ditur se në fakt ishte një model shumë më i madh Magura V7.

Është hera e parë që ky variant prezantohet për publikun. Magura V7 është afërsisht 8 metra i gjatë.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar nëse mund të mbajë lloje të tjera armësh përveç raketave Sidewinder, duket se është modular dhe i përshtatur për misione të ndryshme.


Shtuar 4.05.2025 20:40

Tags: ,