Roli hije i Kinës në konfliktet globale

Nga Federico Giuliani “Il Giornale”

Nuk ka asnjë provë që Kina e mbështet Rusinë ushtarakisht në luftën e saj kundër Ukrainë. Konfirmimi i fundit erdhi edhe nga vetë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, që  pas një takimi me presidentin kinez Xi Jinping, konfirmoi versionin e ofruar vazhdimisht nga Pekini.

“Xi e ka bërë të qartë se Kina nuk e furnizon Rusinë me armët e saj, dhe se kërcënimi bërthamor i Moskës është i papranueshëm për të. Ky është një mesazh i rëndësishëm, dhe unë shpresoj sinqerisht që në javët dhe muajt e ardhshëm i gjithë komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Kinën, do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për ta bindur Kremlinin dhe Rusinë që t’i japë fund luftës, duke e respektuar sovranitetin e Ukrainës”- tha Michel.

E megjithatë, Dragoi ka luajtur një rol vendimtar në këtë konflikt edhe pse në hije. Sipas raporteve nga revista britanike The Spectator , diplomacia në “prapaskenë” e Pekinit ka arritur të sabotojë dërgesën e një sasie avionësh MiG-29 të prodhimit sovjetik, nga Polonia për forcat ajrore ukrainase, raporton albeu.com

Kjo si një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Nuk ka dyshim se MiG-ët polakë nuk kishin gjasa të bënin shumë ndryshim të madh në fushën e betejës, pasi ata u prodhuan në fillim të viteve 1980 për Forcat Ajrore të Gjermanisë Lindore, dhe iu shitën Varshavës nga Berlini për çmimin simbolik prej 1 euro secili në vitin 2003.

Por nëse një vend i NATO-s do ta kishte furnizuan Kievin me çdo lloj avioni luftarak, ky do të përbënte një hap të rëndësishëm simbolik edhe pse jo domosdoshmërisht të rëndësishëm në aspektin operacional drejt përfshirjes së drejtpërdrejtë të NATO-s në konflikt.

Nuk është e rastësishme që qëndrimi i Uashingtonit ishte fillimisht pozitiv në lidhje me këtë çështje. Por më 8 mars, Pentagoni e ndryshoi qëndrimin e tij, duke e cilësuar “të paqëndrueshëm”  propozimin e Polonisë. Në lidhje me luftën në Ukrainë, Kina ka shpresuar gjithmonë në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes, por gjithmonë dhe në çdo rast duke mbështetur anën e saj.

Pekini mund të ketë arsyetuar kështu:Tek e fundit pse duhet që Republika Popullore të ekspozohet drejtpërdrejt në terren? Epiqendra e krizës është në Evropë dhe pa pasoja ekonomike ndaj projektit tonë madhor “Një Brez, Një Rrugë”. Problematikat u takojnë Rusisë, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në lidhje me Rusinë, duket se mbështetja e pretenduar kineze për kauzën ruse mund ta ketë nxitur Vladimir Putin të zgjedhë rrugën e luftës. Kujtojmë se 20 ditë para shpërthimit të konfliktit, më 4 shkurt, gjatë një samiti dypalësh mes Putinit dhe Xi, u fol për “një miqësi pa të kufijshme” dhe pa “zona të ndaluara” bashkëpunimi midis 2 vendeve.

Për më tepër, sërish sipas zbulimeve të “The Spectator”, një shtojcë “konfidenciale” e futur në deklaratën e përbashkët “mbi miqësinë pa kufi”, kishte përfshirë një garanci të sigurisë reciproke, të cilën Rusia ia kishte kërkuar Kinës për dekada, por që deri atëherë ajo nuk kishte arritur ta merrte, raporton albeu.com

Do të kishte qenë një imitim i nenit 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm kundër një vendi anëtar është një sulm kundër të gjithëve, dhe do të parathoshte që Pekini dhe Moska ishin zotuar ta ndihmonin njëra-tjetrën ushtarakisht në rastin e një pushtimi të huaj në territorin e tyre.

Por në atë aneks, ishte përfshirë edhe një klauzolë në një mënyrë “shumë të zgjuar dhe parashikuese” me këmbënguljen kineze, e cila do të përjashtonte territoret ukrainase të aneksuara gjatë luftës, duke e çliruar kështu Pekinin nga çdo angazhim për t’iu përgjigjur sulmeve nga e Kievit që do të synonin përpjekjen për të çliruar këto rajone.

Kina ka ushtruar ose po ushtron një lloj “roli në hije”, jo vetëm brenda krizës ukrainase, por në të paktën 4 çështje të tjera të nxehta. Le të marrim çështje koreane. Republika Popullore e Kinës përsërit vazhdimisht se zgjidhja e vetme është diplomacia dhe i fton palët e përfshira – Korenë e Veriut Korenë e Jugut dhe SHBA – të ulin tonet e retorikës së tyre.

Në të njëjtën kohë, gjiganti aziatik ka mbështetur gjithmonë qeverinë e Koresë së Veriut, të paktën në fushën tregtare dhe energjetike, duke vazhduar t’i dërgojë Phenianit, në momentet më kritike, gjithçka që ka qenë të nevojshme për të shmangur kolapsin.

Për më tepër, Republika Popullore e Kinës nuk dëshiron në asnjë mënyrë që ushtria amerikane ta militarizojë më tej gadishullin, duke vendosur atje armë të afta që të godasin edhe Pekinin. Prandaj, është e pamendueshme që Kina të heqë dorë nga çështja koreane.

Duke mbetur ende në Azi, roli në hije i Kinës është identifikuar edhe në Mianmar. Që nga grushti i shtetit që ndodhi në vend, Kina ka qenë deri tani burimi kryesor i investimeve të huaja për Najpjidau. Këtu përfshihet investimi prej 2.5 miliardë dollarësh i Kinës për ndërtimin e një termocentrali me gaz që do të ndërtohet në perëndim të Jangon, i cili do të jetë 81 për qind në pronësi dhe do të drejtohet nga kompanitë kineze.

Ndërkohë janë edhe dhjetëra projekte të tjera infrastrukturore, duke përfshirë lidhjet hekurudhore me shpejtësi të lartë dhe digat. Megjithatë, investimi më i rëndësishëm strategjik është korridori ekonomik Kinë-Mianmar, i cili përfshin tubacionet e naftës dhe gazit, lidhjet rrugore dhe hekurudhore që kushtojnë dhjetëra miliarda dollarë.

Investimi kryesor është një port që do të ndërtohet në Kiaukpiu në bregun perëndimor të Mianmarit me një kosto prej 7 miliardë dollarësh. Ai do t’i japë Kinës qasje në “derën e pasme” aq shumë të dëshiruar për në Oqeanin Indian, raporton albeu.com

Janë edhe 2 zona të tjera të lidhura me interesat kineze. Në Bririn e Afrikës, ku Republika Popullore ka bazën e vetme jashtë vendit, atë të Xhibutit, gjiganti aziatik po vëzhgon me frikë krizat politike që mund të shqetësojnë rajonin, dhe përmes “formulës së Mianmarit” synon të investojë në zonat më të nxehta në një përpjekje për të qetësuar shtetet me një ekuilibër të pasigurt politik (mendoni pak Sudanin dhe Somalinë).

Në vend të rikthimit të vëmendjes drejt Azisë, kushtojini vëmendje pranisë së heshtur të Kinës në Azinë Qendrore, e tërhequr shumë nga burimet e energjisë që është në gjendje t’i ofrojë oborri i pasmë i ish-BRSS. Nuk është rastësi që presidenti kinez Xi Jinping e kreu në Kazakistan vizitën e tij të parë jashtë vendit që nga nisja e pandemisë.

/albeu.com

 


Shtuar 30.12.2022 09:41