Reshjet e borës “pushtojnë” Parisin, anulohen disa fluturime

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar anulimin e një pjese të fluturimeve në aeroportet Orly dhe Charles de Gaulle në Paris.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Francës ka njoftuar se u ka kërkuar linjave ajrore të anulojnë rreth 15% të fluturimeve të planifikuara për pasditen dhe mbrëmjen e sotme, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në rajon.

Sipas një zëdhënësi të agjencisë, linjat ajrore janë të lira të vendosin se cilat fluturime do të anulojnë, me kusht që të reduktojnë numrin e ngritjeve dhe uljeve.

Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim, për shkak të dëborës dhe temperaturave të ulëta.

Kufizime janë vendosur edhe në rrugë, ku automjetet e rënda janë ndaluar të qarkullojnë në disa segmente në Bretanjë dhe Normandi. Ndërsa në rajonin e Parisit janë ulur kufijtë e shpejtësisë dhe është kufizuar qarkullimi i mjeteve me tonazh të rëndë në akset kryesore rrugore.


Shtuar 5.01.2026 18:21