Rasti që tronditi Afrikën e Jugut: Nëna shet vajzën 6-vjeçare për 968 euro

Një gjykatë shpalli fajtorë një nënë dhe dy bashkëpunëtorë të saj për rrëmbimin dhe trafikimin e vajzës së saj 6-vjeçare, një rast që ka tronditur vendin dhe ka tërhequr vëmendjen që kur fëmija u zhduk vitin e kaluar.

Jocelyn Smith, atëherë 6 vjeçe, u zhduk nga shtëpia e saj në qytetin e vogël Mindelpos në Gjirin Saldanha në provincën e Kepit Perëndimor më 19 shkurt 2024 dhe që atëherë ka nisur një kërkim në të gjithë vendin.

Vajza ende nuk është gjetur.
Nëna e Jocelyn, Kelly Smith, i dashuri i saj, Jaqueen Apolis, dhe miku i tyre, Steven Van Ryn, u akuzuan për shitjen e fëmijës për para. Një gjyqtar në Gjykatën e Lartë në Kepin Perëndimor i shpalli sot të tre fajtorë për rrëmbim dhe trafikim qeniesh njerëzore.

“Sjellja e znj. Smith nuk është sjellja e një prindi të kujdesshëm. Dhe pse nuk është? “Sipas mendimit tim, i vetmi përfundim është se ju e dinit (çfarë ndodhi)”, tha sot gjykatësi Nathan Erasmus, duke iu drejtuar Smith, e cila ishte në sallën e gjyqit.

Në këtë rast që tronditi Afrikën e Jugut, një nga dëshmitarët i tha gjykatës se Smith i kishte thënë se ia kishte shitur vajzën e saj të vogël një sharlatani, ose shëruesi tradicional, për 20,000 rand (1,100 dollarë/968 euro) dhe se vajza e donte atë për “sytë dhe lëkurën” e saj.

Gjykatësi nuk përmendi në vendimin e tij se kujt iu shit vajza ose pse. Tre të dënuarit do të mbahen në paraburgim përpara se t’u jepet dënimi.


Shtuar 2.05.2025 17:37