Nga Lucy Hall and Hans Van Scharen, Euobserver
Për një qytetar, skandali i Qatargate është tronditës: ideja që zyrtarët e zgjedhur do të merrnin ryshfet nga një prej regjimeve më represive në botë, në këmbim të nënvlerësimit të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut është shokuese.
Por për ne që kemi punuar prej vitesh për të hedhur dritë mbi korrupsionin në BE, ky skandal i fundit nuk është një tronditje, madje as një surprizë; është vetëm maja e ajsbergut. Është produkt i viteve të neglizhencës nga zyrtarët evropianë kur bëhet fjalë për praktikat lobuese të regjimeve represive.
Në Observatorin e Korporatave të Europës (CEO) ne punojmë për të ekspozuar këto praktika, por ne gjithashtu shkojmë më tej sesa thjesht të kërkojmë transparencë: herë pas here kemi denoncuar papërshtatshmëritë serioze të rregullave që qeverisin lobimin ndaj politikanëve dhe institucioneve europiane.
Për dekada, regjimet represive janë afruar drejtpërsëdrejti me politikanët dhe zyrtarët në një përpjekje për të ndikuar në politikë, duke përfshirë dhuratat dhe ryshfetet. Dhe ata gjithashtu kanë nënkontraktuar diplomacinë e tyre me kompanitë e PR-it, lobistët dhe grupet e influencimit, si dhe bizneset e mëdha.
Puna e lobistëve shpesh përfshin zbardhjen e reputacionit ttë diktatorëve, promovimin e marrëveshjeve fitimprurëse të tregtisë dhe investimeve me shtetet totalitare, lobimin kundër sanksioneve ose dhe vetë njollosjen e disidentëve.
Pavarësisht nëse lobojnë në institucionet e BE-së apo në kryeqytetet e saj, ata zakonisht punojnë në hije pa frikë reale nga sanksionet, pasi Regjistri i Transparencës i BE-së nuk përfshinë detyrime ligjore.
Krahasoni këtë me SHBA-në – ku Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të Shteteve të Bashkuara (FARA), kërkon që të gjithë lobistët që punojnë për çdo qeveri të huaj të regjistrohen, të publikojnë kontratat dhe të zbatojnë sanksionet ligjore dhe kjo është pikërisht pika ku mund të fillojmë të kuptojmë shkallën e vërtetë të problemit që ka BE-ja.
Në vitin 2015 ne publikuam një raport mbi firmat europiane të PR-it që po përpiqeshin të tregonin figurën e regjimeve brutale. Ai përfshin 18 raste studimore të firmave dhe konsulentëve të PR-it që punojnë në Europë për regjime të dyshimta të akuzuara për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Në veçanti, raporti tregon se në vitin 2014, Katari u bë klienti më i madh i firmës lobuese Portland Communications, e cila u implikua nga transmetuesi publik Channel 4 për praktikën e të ashtuquajturës “astroturfing”, një teknikë e falsifikimit të një lëvizjeje spontane popullore, në këtë rast, tifozët e futbollit u paraqitën sikur mbështesnin ofertën e Dohas për Kupën e Botës.
Ndërmjet viteve 2012 dhe 2014, regjimi i Azerbajxhanit dërgoi miliarda dollarë përmes kompanive në det të hapur për të paguar ryshfete, duke përfshirë ato të përfshira në mega-tubacionin Itali-Azerbajxhan, të ashtuquajturin “korridori jugor i gazit”.
Zyrtarët europianë më pas morën pjesë në zbardhjen e një tjetër problemi të një regjimi tjetër represiv duke minimizuar mashtrimin e zgjedhjeve dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.
Ju duket e njohur?
Dhe pastaj vjen lobimi për Kremlinin, miqtë e tij të pasur dhe kompanitë ruse si Gazprom, i cili ka vazhduar në Bruksel prej vitesh. Kur presidenti Vladimir Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014, 20 % e importeve euopiane të gazit vinin nga Rusia. Kjo shifër u rrit në 40 % në fillim të vitit 2022, falë kompanive perëndimore të karburanteve fosile.
Pushtimi i Ukrainës ekspozoi varësinë e kontinentit nga nafta dhe gazi rus, importi i të cilave financon drejtpërdrejt përpjekjet luftarake të Putinit.
Ende nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kompanive të karburanteve fosile, BE-ja tani dëshiron të zëvendësojë lëndët djegëse fosile ruse duke dyfishuar importet e gazit nga regjimet e tjera represive si Katari dhe Azerbajxhani.
Importi i gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Katari përmendet dy herë në planin REPoëerEU të Komisionit Europian për të ‘hequr qafe’ gazin rus, një plan i drejtuar nga të njëjtat kompani të karburanteve fosile që vazhdojnë të na mbajnë të varur nga regjimet represive.
Kompania gjermane e energjisë RWE nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje për të furnizuar 2 milionë tonë LNG në vit nga Katari nga viti 2026, me mbështetjen e qeverisë gjermane, raporton abcnews.al.
Në Observatorin e Europës së Korporatave (CEO), ne po u bëjmë thirrje institucioneve të BE-së të zbatojnë reformat e vonuara prej kohësh.
Duhet të ekzistojë një organ brenda institucioneve, të cilit i jepen kompetencat e nevojshme për të monitoruar dhe hetuar në mënyrë proaktive shkeljet e këtyre rregullave strikte.
Dhe duhet të bëhet një goditje e fortë ndaj politikës së dyerve të mbyllura dhe së fundmi, një goditje ndaj financimit të partive politike nga qeveritë ekstremiste dhe represive.
Si përfundim, ne duhet të bëjmë publike pronësinë e kompanive dhe aseteve, në mënyrë që të mund të gjurmojmë paratë e pista në BE dhe në mbarë botën. Politikanët europianë që sapo kanë shënuar autogol me këtë skandal do të bënin mirë të investonin në politika të drejta dhe etike.
/albeu.com