Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se nuk ka “asgjë kundër takimit me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky”.
“E kam thënë shumë herë se nuk kam asgjë kundër kësaj në përgjithësi, është e mundur”, deklaroi Putin, shkruan Sky News.
Megjithatë, ai e distancoi veten nga çdo takim i tillë që do të ndodhte së shpejti, duke shtuar: “Por duhet të krijohen kushte të caktuara për këtë. Por për fat të keq, ne jemi ende larg krijimit të kushteve të tilla.”
Në përgjigje të një takimi të mundshëm midis tij dhe Donald Trump, Putin theksoi se interesi për samitin SHBA-Rusi ishte “i ndërsjellë” dhe se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë një nga vendet e përshtatshme për të mbajtur një takim.
Vendndodhja e një samiti Putin-Trump është ende e paqartë. Presidenti rus tha se kishte “shumë miq” të gatshëm për të ndihmuar në organizimin e një takimi të tillë.
Mundësitë e udhëtimit të Putinit janë të kufizuara nga urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar për të, për shkak të dyshimeve për largimin e fëmijëve nga Ukraina në Rusi gjatë luftës.