Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se çdo trupë e huaj që vepron si pjesë e një force paqeruajtëse në Ukrainë do të konsiderohej një “objektiv legjitim” nga Moska.
Kjo vjen një ditë pasi Presidenti Francez Emmanuel Macron tha se 26 nga aleatët e Ukrainës ishin zotuar zyrtarisht për të vendosur trupa “nga toka, deti ose ajri” për të ndihmuar në garantimin e sigurisë së Kievit një ditë pas arritjes së çdo armëpushimi ose paqeje.
Macron theksoi se çdo trupë do të vendoset për të parandaluar “çdo agresion të ri të madh” dhe jo në vijën e frontit, duke shtuar se forca “nuk ka vullnetin ose objektivin për të zhvilluar luftë kundër Rusisë”.
Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt komenteve Macron, Putin tha: “Nëse ndonjë trupë shfaqet atje, veçanërisht tani, gjatë operacioneve ushtarake, ne nisemi nga fakti se këto do të jenë objektiva legjitime për shkatërrimin e tyre. Dhe nëse merren vendime që çojnë në paqe, në paqe afatgjatë, atëherë thjesht nuk shoh asnjë kuptim në praninë e tyre në territorin e Ukrainës, pikë.”