Pse Rusia do të dërgojë 75 minj dhe 1,000 miza në hapësirë më 20 gusht?

Rusia do të lëshojë më 20 gusht biosatelitin Bion-M Nr. 2 nga kozmodromi Baikonur në Kazakistan, përmes raketës Soyuz-2.1b. Misioni do të zgjasë 30 ditë dhe synon të studiojë ndikimin e hapësirës tek organizmat e gjallë. Sateliti do të transportojë 75 minj, mbi 1,000 miza, mikroorganizma, kultura qelizore dhe fara bimësh.

Sipas Roscosmos, qëllimi është të kuptohen efektet e mikrogravitetit dhe rrezatimit në trupin e gjallë, me synim përgatitjen e misioneve të ardhshme në hapësirë të thellë dhe përmirësimin e mbështetjes mjekësore për astronautët. Minjtë janë zgjedhur për shkak të ngjashmërisë gjenetike me njeriun dhe ndjeshmërisë së tyre ndaj rrezatimit.

Eksperimenti përfshin tre grupe minjsh: një në Tokë, një tjetër në laborator që simulon mjedisin satelitor dhe një që do të qëndrojë në orbitë. Gjendja e tyre do të monitorohet në kohë reale përmes sensorëve dhe kamerave, dhe pas kthimit do të analizohen ndryshimet biologjike që kanë pësuar.

Sateliti do të mbajë gjithashtu një eksperiment të lidhur me Hënën, duke transportuar material të simuluar hënor në 16 epruveta. Qëllimi është të vlerësohet ndikimi i rrezatimit dhe vakumit të hapësirës mbi këto mostra, për të ndihmuar në ndërtimin e strukturave të qëndrueshme në sipërfaqen hënore.


Shtuar 19.08.2025 17:16

Tags: ,