Pse lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë shumë shpejt

Nga Christopher Blattman “Foreign Affairs

Kur Rusia nisi pushtimin e gjithë Ukrainës në fundin e muajit shkurt, pak analistë mendonin se lufta do të zgjaste ende sot. Strategët rusë nuk e menduan seriozisht rezistencën e ashpër të forcave ukrainase, mbështetjen entuziaste që Ukraina do të merrte nga Evropa dhe Amerika e Veriut, apo mangësitë e ndryshme të ushtrisë së tyre.

Që të dyja palët po vazhdojnë të rezistojnë në linjat e tyre të frontit, dhe luftimet mund të vazhdojnë për muaj, në mos edhe me vite. Po pse po zgjat kaq shumë kjo luftë? Shumica e konflikteve janë të shkurtra. Gjatë 2 shekujve të fundit, shumica e luftërave kanë zgjatur mesatarisht 3-4 muaj.

Kjo kohëzgjatje e shkurtër, i detyrohet shumë faktit se lufta është mënyra më e keqe për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike. Kur kostot e luftimeve bëhen shumë të dukshme, kundërshtarët kërkojnë zakonisht një zgjidhje.

Natyrisht shumë luftëra, zgjasin më gjatë. Kompromisi dështon të arrihet për 3 arsye kryesore strategjike:kur udhëheqësit mendojnë se humbja kërcënon vetë mbijetesën e tyre në pushtet, kur liderët nuk kanë një perceptim të qartë të forcës së tyre dhe asaj të armikut, dhe kur udhëheqësit druhen se kundërshtari i tyre do të bëhet më i fortë në të ardhmen.

Në Ukrainë, që të gjitha këto dinamika po garantojnë vazhdimin e luftës. Gjithsesi, edhe këto 3 arsye strategjike tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Në thelb, kjo luftë i ka rrënjët edhe tek ideologjia. Presidenti rus Vladimir Putin e mohon identitetin dhe shtetin ukrainas.

Njerëz pranë tij flasin për një qeveri me një pikëpamje të deformuar për shkak të dezinformatave të saj, dhe shumë fanatike në angazhimin e saj për të pushtuar territore në vendin fqinj. Nga ana e saj Ukraina, i është përmbajtur në mënyrë të palëkundur idealeve të veta.

Udhëheqësit dhe populli ukrainas, kanë treguar se nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë lirinë apo sovranitetin ndaj agresionit rus, pavarësisht çmimit që mund të paguhet. Ata që i simpatizojnë bindje të tilla të zjarrta, i cilësojnë ato si vlera të qëndrueshme. Ndërkohë skeptikët i kritikojnë dhe i cilësojnë si dogma.

Por cilido qoftë termi, pasoja është shpesh e njëjtë:secila palë e refuzon politikën reale dhe lufton sipas parimeve që mbron. Rusia dhe Ukraina nuk janë unike në këtë drejtim, pasi besimi ideologjik shpjegon shumë luftëra të gjata.

Lufta në Ukrainë është vetëm shembulli më i fundit i një lufte që vazhdon, jo vetëm për shkak të dilemave strategjike, por edhe sepse të dyja palët e shohin si të neveritshme idenë e kompromisit në tavolinë.

Luftërat fillojnë dhe vazhdojnë kur udhëheqësit mendojnë se mund të sigurojnë një rezultat më të mirë, duke luftuar dhe jo përmes politikës normale. Vendet zhvillojnë luftëra të gjata për të paktën 3 arsye të llogaritura.

Së pari, sundimtarët që kanë frikë për mbijetesën e tyre, qëndrojnë me ngulm në fushën e betejës. Konkretisht nëse Putin beson se humbja mund t’i japë fund regjimit të tij, ai ka një motivim të fortë ta vazhdojë luftën, pavarësisht nga pasojat për rusët e zakonshëm.

Së dyti, luftërat vazhdojnë në kushte pasigurie. Për shembull, kur të dyja palët kanë vetëm një perceptim të paqartë të fuqisë së tyre relative, ose kur ato i nënvlerësojnë pasojat e dëmshme të konfliktit. Në shumë raste, disa muaj beteje e largojnë këtë paqartësi.

Lufta zbulon fuqinë dhe vendosmërinë e secilës palë dhe i zhduk keqkuptimet. Rivalët e gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, duke arritur një marrëveshje që pasqyron balancën tashmë të dukshme të fuqisë. Për pasojë shumica e luftërave janë të shkurtra.

Por në disa raste, “mjegulla” e luftës ngrihet shumë ngadalë. Ndalemi tek situata aktuale në Ukrainë. Forcat ukrainase i kanë tejkaluar pritshmëritë e të gjithëve, por mbetet e paqartë nëse ato mund t’i dëbojnë trupat ruse nga vendi. Një dimër i ftohtë mund të dobësojë gatishmërinë e Evropës për të vazhduar dërgimin e parave dhe armëve në Ukrainë.

Dhe efektet në fushën e betejës të mobilizimit të pjesshëm që kreu Rusia në shtator, do të jenë të dukshme vetëm pas disa muajsh. Në mesin e këtyre pasigurive të vazhdueshme, rivalët mund ta kenë më të vështirë të arrijnë një marrëveshje paqeje.

Së fundi, disa politologë dhe historianë argumentojnë se çdo luftë e gjatë, ka në thelb një “problem angazhimi” – pra paaftësinë e njërës palë ose të dyjave për t’u angazhuar në mënyrë të besueshme për një marrëveshje paqeje, për shkak të ndryshimeve të parashikuara në ekuilibrin e pushtet.

Disa e quajnë këtë “Kurthi i Tukididit” ose një “luftë parandaluese”:pra njëra palë nis një sulm për të çimentuar ekuilibrin aktual të fuqisë përpara se të humbasë. Nga përpjekja e Gjermanisë për të parandaluar ngritjen e Rusisë në vitin 1914, deri tek dëshira e Shteteve të Bashkuara për ta ndalur Irakun të bëhej një fuqi bërthamore në vitin 2003, problemet e angazhimit nxisin shumë luftëra të mëdha.

Në ato rrethana, marrëveshjet mund të prishen para se sa të arrihen. Parimet dhe fiksimet e liderëve ukrainas dhe rusë e nxisin konfliktin. Në pamje të parë, lufta në Ukrainë duket të ketë probleme të dukshme me angazhimin.

Sa herë që një udhëheqës evropian apo një gjeneral amerikan, thotë se është koha për të arritur një kompromis me Rusinë, ukrainasit dhe aleatët e tyre përgjigjen se është Putini ai që nuk mund të angazhohet në mënyrë të besueshme për një marrëveshje paqeje.

Kremlini është i prirur për të fituar territore, thonë ata, dhe udhëheqësi i tij është politikisht dhe ideologjikisht i fiksuar pas qëllimeve të tij të luftës. Nëse arrijmë tani një marrëveshje, paralajmërojnë ukrainasit, Rusia vetëm sa do të rigrupohet dhe do të sulmojë sërish.

Për më tepër, ukrainasit nuk janë në gjendje të arrijnë një kompromis me agresorin e tyre. Edhe nëse Moska mund ta detyronte një negociator ukrainas të binte dakord për një armëpushim, shanset që publiku apo parlamenti ukrainas të pranojë edhe humbjen më të vogël të njerëzve ose territorit janë shumë të pakta.

Një reagim popullor do të prishte çdo marrëveshje të negociuar. Megjithatë, as vendosmëria e Rusisë dhe as ajo e Ukrainës nuk janë probleme tradicionale të angazhimit që rrjedhin nga llogaritjet strategjike. Rezistenca e ashpër e Ukrainës ndaj çdo sugjerimi për kompromis nuk është e pazakontë.

E njëjta papajtueshmëri përsëritet përgjatë historisë, sa herë që popujt e kolonizuar dhe të shtypur kanë vendosur të luftojnë për lirinë e tyre, përkundër të gjitha gjasave fillestare për të pasur sukses. Ata e refuzojnë nënshtrimin për shumë arsye, përfshirë një përzierje zemërimi dhe parimi.

Lëshimet ndaj imperializmit dhe ndaj dominimit janë thjesht të neveritshme, madje edhe për më të dobëtit. Siç shkruante filozofi politik anti-kolonialist Frantz Fanon në librin e tij të vitit 1961 “Të mjerët e tokës”:”Ne revoltohemi sepse për shumë arsye, nuk mund të marrim më frymë!”.

Marrë me shkurtime

Shënim: Christopher Blattman, është asistent/profesor i Shkencave Politike dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork.

/albeu.com


Shtuar 30.11.2022 09:29