Pse këtë herë regjimi në Iran e ka më të vështirë që t’i shtypë protestat?

Nga Kayhan London “World Crunch

Dhjetë javë pas fillimit të kryengritjes mbarëkombëtare antishtetërore në Iran, agjencitë e sigurisë së regjimit po përballen me një krizë të nxitur nga katër faktorë kyç. Së pari humbje në radhët e tyre nga mosbindja, dezertimi ose neglizhenca ndaj trazirave.

Së dyti, kanë forca të pamjaftueshme në dispozicion për shkak të viktimave nga përleshjet. Së treti ka një rritje të numrit të akteve të subversionit dhe sabotimit, që po synojnë sidomos bazat strategjike. Dhe së katërti sulme kibernetike dhe kurthet e sigurisë të ngritura nga jashtë.

Njëkohësisht, regjimi iranian po përballet me një ndryshim të dukshëm të taktikave në mesin e protestuesve në krahasim me trazirat e dikurshme, gjë që i detyrohet veçanërisht e gjeneratave të reja të përfshira në këtë lëvizje.

Zyrtarë të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare – organi që po koordinon represionin ndaj lëvizjes – thonë se protestuesit janë kryesisht të moshës nga 15 deri në 25 vjeç. Është një lloj brigade e Gjeneratës Z, që bashkëpunon me protestues më të vjetër dhe me përvojë, të cilët kanë drejtuar raundet e mëparshme të protestave në vitin 2009, dhe sidomos në vitet 2017 dhe 2019, kur trazirat publike u rishfaqën me një forcë të veçantë.

Ky raund karakterizohet nga një përvojë më e madhe, nga më shumë koordinim “në terren” kundër forcave të sigurisë, nga një aktivizëm “me bazë lagjeje”, dhe me akte sabotuese specifike apo të vandalizmit simbolik. Po pse regjimi po fajëson për dhunën lojtarët e video-lojërave?

Udhëheqësit e regjimit po pyesin veten se pse këtë herë, shtypja e dhunshme dhe ndërprerja e internetit po dështon të shuajë protestat. Disa kanë fajësuar lojërat kompjuterike , të cilat ata duan t’i shohin të ndaluara, duke thënë se protestuesit e shumtë janë lojtarë adoleshentë, të cilët dyshohet se kanë praktikuar taktikat e tyre në internet përpara se të zbrisnin në rrugë.

Pra regjimi po fajëson lojërat kompjuterike dhe agresionin që ato duket se gjenerojnë, në vend të paaftësisë, mizorisë, kushteve të mjerueshme të jetesës së njerëzve dhe urrejtjes së këtyre të fundit ndaj një organizimi të tërë politik.

Por fakt është se represioni nuk po funksionon më, dhe dezertimet në radhët e forcave të regjimit, veçanërisht atyre me të cilat përballen protestuesit, janë shumë më të mëdha sesa duan ta pranojnë zyrtarët. Burime të ndryshme, pohojnë se janë shtuar rastet e refuzimit të punonjësve të policisë dhe personelit të sigurimit për të kryer detyrën, por edhe të ndihmës për veprimet subversive.

Tani zyrtarët e lartë po u besojnë më pak forcave të tyre, sidomos ato të policisë. Milicisë më besnike të regjimit, Basiji, të drejtuar nga Garda Revolucionare, i mungojnë forcat e mjaftueshme për të shuar protestat nëse ato vazhdojnë, dhe kundërshtime janë raportuar edhe tek familjet e trupave të saj.

Po ashtu ka raporte për një përçarje të thelluar midis regjimit dhe familjeve të “dëshmorëve” dhe veteranëve të plagosur të luftës së viteve 1980-1988 me Irakun. Regjimi i ka humbur bazat e tij kryesore të mbështetjes sociale.

Udhëheqësi suprem i vendit Ali Khamenei po paralajmëron forcat e armatosura për dezertimet, edhe pse kreu i ushtrisë së rregullt tokësore (Artesh), Abdulrahim Musavi, është përpjekur të qetësojë besnikët duke i përshkruar “dezertimet e papritura” si një gjyq i Zotit.

Rreth 70 agjentë shtetërorë numërohen si të vrarë që nga shpërthimi i protestave në mesin e shtatorit. Një humbje e konsiderueshme për regjimin, edhe pse shumë e vogël në krahasim me qindra iranianë të zakonshëm që shteti ka vrarë gjatë më shumë se 2 muajve.

Ndërsa kreu i Organizatës Gjyqësore të Forcave të Armatosura, Ahmadreza Purkhaqan, këmbëngul se “asnjë e keqe nuk do të ndodhë derisa Basij të jetë në këmbë”, ai ka dhënë alarmin për “të infiltruarit” që po depërtojnë në radhët e udhëheqjes.

Të fiksuar pas armiqve dhe të infiltruarve të brendshëm, zyrtarët e lartë iranianë nuk po munden ta kuptojnë se i takon atyre të vendosin nëse do të qëndrojnë me apo kundër popullit. Shumë prej tyre kanë zgjedhur tashmë njerëzit. Po ashtu mësohet se aktet e përhapura të sabotimit kanë shkuar përtej rafinerive dhe termocentraleve, për të arritur deri tek bazat ushtarake.

Kompanitë shtetërore industriale dhe minerare, kanë shtuar masat e sigurisë në ambientet e tyre, dhe kanë kërkuar mbrojtje nga ushtria. Në këtë kontekst, Udhëheqësi Suprem Khamenei këshilloi në një mbledhje urgjente më 26 nëntor me milicinë Basij që të “ruahet gatishmëria” dhe “të mos befasohen”.

Ai po duket gjithnjë e më shumë si kreu i një bande kriminale, që po ndjen se rivalët po i afrohen operacioneve të tij të jashtëligjshme. Shqetësimi i deklaruar i Khameneit në lidhje me integritetin e forcave besnike, përbën në fakt një pranim se kohezioni i tyre është dëmtuar.

Ai u tha milicëve të tij se disa atje në kupolën drejtuese e kishin këshilluar se që t’i jepte fund protestave, duhej të niste bisedimet me Amerikën. Ky sugjerim mund të ketë ardhur nga reformistët, të cilëve klika në pushtet i është drejtuar më në fund për këshilla apo mbështetje pas dekadash të izolimit dhe frenimit të tyre në skenën politike.

Këta reformistë, përfshirë personalitete si ish- presidentët Mohammad Khatami dhe Hasan Rouhani, mund ta shohin këtë si një mundësi për t’u kthyer në politikën e vijës së parë dhe për të “shpëtuar” veten dhe Republikën e tyre Islamike. Dhe e gjitha kjo është një qasje shumë e ndryshme nga ajo e pak ditëve më parë, kur Khamenei zotohej me besim se trazirat do të “merrnin fund”.

/albeu.com


Shtuar 1.12.2022 09:28