Nga Francceska Salvatore “Il Giornale”
Disa e kishin parashikuar këtë që ndodhi, përkundër të gjitha gjasave dhe parashikimeve të shumicës së analistëve. Demokratët ruajtën shumicën e ngushtë në Senat, ndërsa zgjedhjet për Kongresin nuk regjistruar “dallgën e kuqe” siç shpresonte Donald Trump dhe republikanët.
Megjithatë, sipas asaj që që shtë bërë tashmë traditë në zgjedhjet e mesit të mandatit, partia e presidentit aktual Joe Biden duhet të ishte fundosur në këtë proces, duke pasur parasysh se sipas disa Exit Poll (Edison Research) rreth 7 nga 10 votues u shprehën të pakënaqur me situatën në vend. Dhe rreth 1 në 3 prej tyre kishin përmendur më pas inflacionin si çështjen më të rëndësishme që do të diktonte votën e tyre.
Mangësitë në programin e Partisë Republikane
Pas rezultateve specifike dhe ndonjë surprize në shtetet e lëkundura, republikanët duket se kanë bërë një gabim në krahasim me demokratët: nuk i kushtuan vëmendje detajeve. Herën e fundit që ata patën kontrollin e presidencës, Kongresit dhe Senatit, kur Trump u zgjodh president në vitin 2016, ata dështuan keq nën premtimin e tyre për shfuqizimin e Aktit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm.
U përçanë dhe u ndikuan nga sjellja radikale e Trump. Në vitin 2018 ata humbën kontrollin e Kongresit dhe në vitin 2020 të Senatit. Republikanët u përpoqën të përfitonin nga ndjenjat kombëtare, duke identifikuar fushat specifike: inflacionin e lartë, kriminalitetin e shtuar (duke e lidhur vazhdimisht me emigracionin) dhe qeverisjen e keqe të Biden.
Kandidatët republikanë kanë deklaruar gjatë fushatës së mund të ulin koston e jetesës, të mbyllin kufijtë (veçanërisht atë jugorë), por nuk kanë ofruar asnjë platformë të detajuar se si do ta arrijnë këtë. Sepse zgjedhjet e mesit të mandatit janë të rëndësishme, por jo si zgjedhjet presidenciale.
Anomalitë e këtij viti
Vetë ky vit ishte anormal. Stanjacioni politik e ka kapluar SHBA-në, tashmë të prekur nga post-pandemia. Nga ana tjetër 3-mujori i dytë, ndryshoi humorin e amerikanëve dhe prishi ekuilibrat: pavarësisht se politika e jashtme nuk ndikon shumë në sjelljen e elektoratit amerikan, narrativa e konfliktit në Ukrainë ishte e ndërthurur me çështje ideologjike dhe pragmatike, me të cilat votuesit e gjetën veten.
Në qershor, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin “Roe vs Wade” duke rihapur një debat të gjatë. Vendimi shkaktoi një ndryshim të menjëhershëm në llogaritjet zgjedhore, pasi shumë gra dhe disa burra reaguar me zemërim dhe vendosmëri duke i përdorur kutitë e votimit për të shprehur shqetësimin e tyre.
Nëse këta janë faktorë që mund të kenë motivuar demokratët (dhe një shenjë e kishte dhënë votimi i hershëm), tek republikanët u vu re njëfarë shkëputjeje nga metodat e Trumpizmit, gjë që ka sjellë neveri ndaj ish-presidentit nga shumë kandidatë republikanë.
Trump dhe demokracia u konsideruan në mënyrë të ngjashme si “zona problematike” gjatë fushatës zgjedhore muajt e verës, për shkak të dëgjesave publike të komitetit hetimor të Kongresit që hetoi sulmin mbi Capitol Hill në fillim të vitit 2021.
Kështu, rryma subversive e vitit 2016 duket të paktën të jetë ndalur. (Nuk është rastësi që e vetmja “dallgë e kuqe” e vërtetë është ajo e republikanit Ron DeSantis në Florida), pavarësisht se Trump vazhdon të keni një ndjekje të konsiderueshme nga besnikët e tij.
Amerika mbetet e ndarë
“Split America”. Është ky refreni që shoqëron analizat mbi Shtetet e Bashkuara që prej zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 e në vazhdim. Rezultati i zgjedhjeve të së martës, përbën një tjetër konfirmim: polarizimi po fiton. Në Senat, gara ishte shumë e ngushtë. Ashtu si në zgjedhjet e 2020-ës, Xhorxhia luajti një rol vendimtar. Kandidati republikan, ish-kampioni i futbollit Herschel Walker, nuk arriti të mposhtë demokratin Raphael Warnock.
Diferencën e bëri Gjenerata Z
Gjatë javëve të fundit, shqetësimet mbi gjendjen e ekonomisë amerikane dhe sondazhet që sugjeronin se një numër gati rekord amerikanësh besonin se vendi i tyre po ecën në “drejtimin e gabuar”, paralajmëruan një mbrëmje zgjedhore magjike për republikanët. Megjithatë, duket se strategjia e demokratëve – të fokusuar tek demokracia në fletëvotim – arriti të nxiste pjesëmarrjen e votuesve të rinj dhe të mobilizonte bazën e tyre të mbështetësve. Dhe ishin të rinjtë e Gjeneratës Z dhe ata të Mijëvjeçarit, që e penguan “dallgën e kuqe” republikane.
Kjo duket se del edhe nga një Exit Poll i publikuar nga CNN, që tregon se votuesit midis 18- 29 vjeç që votuan për demokratët ishin 28 për qind më shumë se në zgjedhjet e fundit. Ata u motivuan nga disa çështje, siç është e drejta e abortit.
Ndërsa republikanët gëzonin mbështetjen e atyre që janë mbi 65 vjeç (plus 13 për qind më shumë) dhe votuesit midis 45-64 vjeç (plus 11 për qind). “Unë di të them se: Po të mos ishte për amerikanët nën të 30-at, sonte do të kishim me siguri një “dallgë të kuqe”- tha analisti dhe eksperti amerikan i sondazheve John Della Volpe.
Nëse Wall Street kishte vënë bast për fitoren e republikanëve, duke përsëritur se sa bota e financës preferon qeverinë e ndarë – atë që nuk dëmton kompanitë e mëdha – regjisori i njohur Michael Moore kishte parashikuar një “cunami blu” të demokratëve.
Fituesi i Çmimit Oscar, i cili ishte ndër të paktët që parashikoi fitoren e Donald Trump në vitin 2016, ka mbajtur një ditar në internet me titull “E vërteta e cunamit të zgjedhjeve të mesit të mandatit”, për të hedhur poshtë parashikimin e republikanëve. Sipas Moore, demokratët u ndihmuan shumë nga një pjesëmarrje masive e të rinjve dhe grave. Nuk ishte një cunami, por vetëm një rezultat relativisht i mirë.
/albeu.com