Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore të Serbisë.
“Për ne, serbët, ajo nuk është thjesht një copë toke, por djep i shpirtit tonë dhe e ekzistencës sonë në këtë tokë”, tha Vuçiç.
Sipas tij, serbët në Kosovë po jetojnë në “kushte dramatike”.
“Atyre po u mohohen të drejtat themelore njerëzore: e drejta për jetë, për lëvizje, për arsim dhe për përkujdesje shëndetësore. Atyre u mohohet qasja në vendin e punës dhe në pronë”, pretendoi udhëheqësi serb. Që nga viti fillimi i vitit, Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat i konsideron paralele dhe të jashtëligjshme.
Këto veprime të autoriteteve kosovare kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka cilësuar si veprime të pakoordinuara. Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiç i bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “marrë hapa konkretë dhe të vendosur” për të ndalur, siç tha ai, dhunën në Kosovë.
Gjithashtu, udhëheqësi serb deklaroi se “Serbia beson në dialogun” që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, të cilën Serbia refuzon që ta njohë. Mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës përfshirë 22 nga 27 shtete të Bashkimit Evropian, ku Kosova dhe Serbia synojnë të anëtarësohen.
Dy shtetet zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011. Procesi, që lehtësohet nga BE-ja, ka prodhuar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në terren. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur viteve të fundit dhe që nga shtatori i vitit 2023, palët nuk kanë zhvilluar asnjë rund të dialogut në nivel politik, por vetëm runde në nivele të kryenegociatorëve.
Rundi i fundit i dialogut në nivel politik u mbajt disa ditë para sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Në përvjetorin e dytë të sulmit, për të cilin Prishtina e fajëson Beogradin, autoritetet në Kosovë kërkuan ekstradimin e Radoiçiqit dhe të përfshirëve të tjerë në Banjskë. Vitin e kaluar, Kosova ngriti aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë, ndërsa vetëm tre nga këta të akuzuar janë duke u gjykuar në Prishtinë, pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Që të tre i mohojnë akuzat.
Gjatë fjalimit në OKB, Vuçiq theksoi se stabiliteti rajonal është me rëndësi të madhe për Serbinë dhe se Serbia, si garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u nënshkrua para 30 vjetësh, gjithmonë do të punojë për zbatimin e saj të plotë dhe respektimin e të drejtave të tre popujve në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Veprimet njëanshme dhe keqpërdorimi i autoritetit, në kundërshtim me marrëveshjen, nuk kontribuojnë në paqe dhe sjellin tensione të reja”, deklaroi udhëheqësi serb.
Ai shtoi se Serbia do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të parandaluar veprimet njëanshme në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjithashtu, Vuçiq theksoi se prej 30 vjetësh, në Kombet e Bashkuara dhe kudo tjetër, “po zhvillohet një fushatë e rreme kundër Serbisë dhe Republikës Sërpska, entitetit në Bosnje e Hercegovinë.
“Në të gjithë botën, pafundësisht mund të keni dëgjuar, siç do të thoshin ‘nga burime të mirinformuara’, se ishte çështje kohe kur Serbia do të sulmonte dikë në rajon dhe se Republika Sërpska dhe udhëheqja e saj do të cenonin integritetin territorial të Bosnjës”, tha Vuçiç, duke shtuar se gjithë këtë kohë, kjo ka qenë një gënjeshtër.
Qeveria në Beograd mbështet Millorad Dodikun, ish-presidentin e Republikës Sërpka, të cilit Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës dhe Hercegovinës i hoqi mandatin e presidentit të entitetit, pas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjës, për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në këtë shtet.
Vetë Vuçiç takohet shpesh me Dodikun, i cili është mysafir i shpeshtë në manifestimet shtetërore që organizohen në Serbi. Vuçiç e shfrytëzoi fjalimin e tij në OKB për të komentuar edhe për protestat antiqeveritare që po zgjasin tash e disa muaj në Serbi, përmes së cilave po kërkohet shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, kërkesë që autoritetet refuzojnë.
Protestat udhëhiqen nga studentët, të cilët për muaj të tërë kanë bllokuar fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 2024.
“Pavarësisht dhunës së treguar nga demonstruesit, ne përpiqemi të gjejmë një pjesë të rëndësishme të fajit te vetja jonë dhe te ne që drejtojmë vendin. Desha të dëgjoj dhe të kuptoj mesazhin e protestuesve, dhe prandaj edhe nga këtu u ofroj dialog, sepse nuk ka alternativë tjetër”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se ofron dialog dhe diskutim të pakushtëzuar mbi të gjitha çështjet e rëndësishme për shoqërinë tonë për njerëzit që mendojnë ndryshe.
“Dhe jam absolutisht i sigurt se gjatë periudhës së ardhshme do të tejkalojmë të gjitha vështirësitë e muajve të kaluar”, tha Vuçiç.
Gjatë protestave antiqeveritare, në disa raste ka pasur përplasje midis policisë dhe demonstruesve. Pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare dhe opozita kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës, akuzë që autoritetet i mohojnë.
Nga Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të bëhet anëtare, disa herë është bërë thirrje për uljen e tensioneve. Situata në Gaza dhe zgjidhja e konflikteve me Izraelin kanë zënë një pjesë të rëndësishme të zyrtarëve gjatë fjalimeve në OKB. Në fjalimin e tij, Vuçiç tha shkurt se palestinezët dhe izraelitët janë miq të Serbisë.
“Të dy janë miqtë tanë dhe as nuk dua të marr anën e dikujt duke folur për të mirët dhe të këqijtë vetëm për të fituar ndonjë pikë politike”, tha ai.
Si president i Serbisë, ai e ofroi Beogradin si vend për dialog për të gjitha palët e përfshira në konflikt. Një pjesë e fjalimit të Vuçiqit iu kushtua edhe Charlie Kirk, aktivistit konservator që u vra. Kirk, 31-vjeçar, ishte aleat i ngushtë i presidentit amerikan, Donald Trump.
“Ai u vra në mënyrë çnjerëzore vetëm sepse idetë e tij nuk i pëlqenin vrasësit”, tha udhëheqësi serb.
Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara zhvillohet 80 vjet pas themelimit të kësaj organizate ndërkombëtare, që bashkon 193 shtete të botës. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Serbia ka dorëzuar një notë proteste OKB-së për pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.
Pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme, Vuçiq u tha gazetarëve se Osmani mund të hyjë në sallën kryesore të Asamblesë së Përgjithshme vetëm në rast të një vizite turistike dhe vlerësoi se kjo do të mbetet kështu për shumë vite. Osmani po qëndron në OKB, ku po zhvillon takime me zyrtarë nga vende të ndryshme, përfshirë zyrtarë të lartë amerikanë./REL