Protestuesit e udhëhequr nga opozita në rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkazi, janë futur vrullshëm brenda oborrit të Parlamentit lokal në Sukumi, kryeqytetin rajonal, në përpjekje për t’i detyruar ligjvënësit ta shfuqizojnë një marrëveshje kontroverse me Moskën, e cila u jep përparësi sipërmarrësve rusë të ndërtimit.
Sipas mediave vendëse, përpjekjet për ta ratifikuar marrëveshjen më 15 nëntor dështuan, pasi protestuesit u futën në oborrin e Parlamentit.
Por, kjo nuk i ndaloi protestuesit, të cilët tani duan një seancë të re parlamentare për të votuar për shfuqizimin e plotë të marrëveshjes.
“Kundërshtimet po rriten, dhe ka rrezik që të ketë gjakderdhje”, shkroi Nuzhnaya Gazeta në Telegram.
Sipas mediave vendëse, policia dhe qindra protestues u përleshën, pasi dyshohet se forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.
Nuk është raportuar për të lënduar apo arrestuar.
Zyra për shtyp e liderit të Abkazisë, Aslan Bzhania, tha se administrata e tij është duke e përdorur një dokument për tërheqjen e projektligjit nga Parlamenti.
Por, protestuesit thanë se nuk do të largohen para se Bzhania të japë dorëheqje.
Tensionet janë rritur dukshëm në javët e fundit në këtë rajon, pasi aktivistët opozitarë janë duke kërkuar t’i japin fund mbizotërimit të Rusisë në këtë rajon dhe në ekonominë e tij, edhe pse partitë opozitare thanë më 15 nëntor se protesta e tyre nuk është kundër Rusisë.
“Veprimet e protestave nuk janë kundër marrëdhënieve mes Rusisë dhe Abkazisë”, thanë ato në një komunikatë.
Ato thanë se janë të zemëruara me Bzhanian, të cilin e akuzojnë se i përdor lidhjet me Moskën “për përfitimet e veta gjatë gjithë kohës së tij në pushtet”.
Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90.
Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse e zmbrapsën një tentim të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte pesëditore në verën e vitit 2008, e cila mbaroi me disfatën e Gjeorgjisë.
Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë, por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Moska, e cila ua paguan rrogat administratës publike dhe përfitimet sociale banorëve të saj./REL