Protesta në Teheran, policia shpërndan demonstruesit me gaz lotsjellës

Policia iraniane ka shpërndarë me gaz lotsjellës një protestë të zhvilluar në pazarin e madh të Teheranit, bëjnë të ditur organizata joqeveritare dhe pamje video të publikuara në rrjetet sociale.

Sipas videove të verifikuara nga AFP, protestuesit dëgjoheshin duke brohoritur “Pahlavi do të kthehet”, në referencë ndaj dinastisë së Shahut që u rrëzua nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Turma ka thirrur gjithashtu “Seyyed Ali do të rrëzohet”, duke iu referuar udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Në pamjet e shpërndara nga organizatat Iran Human Rights (me seli në Norvegji) dhe Human Rights Activists News (me bazë në SHBA), dhjetëra protestues dëgjohen duke thirrur “Liri! Liri!” dhe “Pa turp”.

Nga ana tjetër, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars raportoi për “grumbullime sporadike” që, sipas saj, u shpërndanë nga policia.

Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor në Teheran, fillimisht si reagim ndaj rritjes së kostos së jetesës, për t’u përhapur më pas në zona të tjera të vendit. Ky konsiderohet si valë protestash më e rëndësishme që nga viti 2022, kur vendi u trondit nga demonstrata masive pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, e arrestuar për shkelje të kodit të rreptë të veshjes.

Sipas një bilanci të AFP-së, bazuar në burime zyrtare dhe mediatike, të paktën 12 persona janë vrarë që nga nisja e protestave, përfshirë edhe anëtarë të forcave të sigurisë. Ndërkohë, organizata joqeveritare me bazë jashtë Iranit vlerësojnë se numri i viktimave mund të jetë të paktën 25 gjatë nëntë ditëve të para të protestave, të nxitura nga rënia e fortë e monedhës kombëtare dhe rritja e inflacionit.


Shtuar 6.01.2026 19:28