Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti këtë të martë, më 18 nëntor, në Shtëpinë e Bardhë, princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.
Siç shkruan BBC, ky ishte një takim i mbushur me deklarata të bujshme, premtime për investime marramendëse dhe diskutime mbi çështje të ndjeshme politike e rajonale.
Takimi u shoqërua me një ceremoni të jashtëzakonshme mirëseardhjeje, ku u dha dhe një shfaqje fluturimi të avionëve F-35 e F-15.
“Princi nuk dinte asgjë për vrasjen e Khashoggi-t”
Gjatë diskutimit me gazetarët në zyrën ovale, Trump deklaroi se princi Mohammed bin Salman “nuk dinte asgjë” për vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, në vitin 2018. Një deklaratë kjo që bie ndesh me raportin e inteligjencës amerikane të vitit 2021, i cili arriti në përfundimin se princi e kishte aprovuar operacionin.
Trump shtoi gjithashtu se vetë Khashoggi ishte “jashtëzakonisht kontrovers”, duke theksuar se shumë njerëz “nuk e pëlqenin”.
Princi saudit, nga ana e tij, tha se ndjen “dhimbje” për familjet e sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001, ndërsa për Khashoggi-n u shpreh se është “e dhimbshme” kur dikush humb jetën “pa asnjë arsye”.
Investimet saudite, nga 600 miliardë shkojnë në 1 trilion dollarë
Një nga pikat më të nxehta të këtij takimi ishte ekonomia. Princi Mohammed bin Salman konfirmoi se investimet saudite në SHBA do të arrijnë në 1 trilion dollarë, duke e rritur premtimin e mëparshëm prej 600 miliardësh
Trump e vlerësoi publikisht këtë angazhim, duke e quajtur “të jashtëzakonshëm” dhe një garanci për rritjen e vendeve të punës në SHBA-ve.
Diskutime për marrëveshjen bërthamore dhe avionët F-35
Presidenti amerikan deklaroi se sheh të mundur arritjen e një marrëveshjeje zyrtare civile-bërthamore me Arabinë Saudite, megjithëse “nuk është urgjente”.
Ai po ashtu përsëriti gatishmërinë për t’i shitur Riadit avionë të avancuar F-35, një hap i diskutueshëm që mund të ndryshojë balancat ushtarake në rajon.
Marrëveshjet e Abrahamit, Arabia Saudite gati të bashkohet
Princi u shpreh se vendi i tij është i interesuar të bëhet pjesë e marrëveshjeve Abraham, por vetëm nëse ekziston një rrugë e qartë drejt zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës.
Trump shtoi se kishin pasur një “bisedë shumë të mirë” për këtë temë dhe se një marrëveshje mbrojtjeje midis SHBA-ve dhe Arabisë Saudite është “pothuajse” finalizuar.
Në konferencën e përbashkët me gazetarët, pati edhe momente tensioni kur Trump u pyet për dosjet e financierit Jeffrey Epstein. Trump reagoi ashpër, duke i thënë gazetarit:
“Mendoj se je një reporter i tmerrshëm… dhe një person i tmerrshëm.”
Ai përsëriti se nuk ka lidhje me Epstein dhe e quajti çështjen “një mashtrim demokrat”. Ndërkohë një zyrtar i lartë konfirmoi se kapiteni i ekipit Al-Nassr, Cristiano Ronaldo, do të shfaqet më vonë në Shtëpinë e Bardhë, një detaj i cili po tërheq vëmendje të madhe mediatike.
Princi Mohammed bin Salman e quajti vizitën “një kapitull të ri të madh” në partneritetin mes dy vendeve, duke theksuar bashkëpunimin në politikë, ekonomi, siguri dhe ushtri.
Trump, ndërkohë, e cilësoi princin si “njeriun që respektohet nga të gjithë” dhe “të ardhmen e mbretërisë”.
