Presidentja e Moldavisë thotë se Rusia po synon të nxisë trazira dhe të blejë vota

Presidentja properëndimore e Moldavisë, Maia Sandu, e akuzoi Rusinë se po paguan “qindra persona” për ta destabilizuar këtë shtet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen gjatë kësaj fundjave. Ish-republika sovjetike, që gjendet mes Ukrainës të përfshirë në luftë dhe Rumanisë – shtet anëtar i Bashkimit Evropian – vazhdimisht ka paralajmëruar për ndërhyrje ruse. Moldavët do të votojnë të dielën në zgjedhjet parlamentare.

“Qindra individë po paguhen [nga Rusia] për të nxitur trazira, dhunë dhe për të përhapur frikë”, tha Sandu në një video-adresim të transmetuar mbrëmjen e së hënës.

Ajo tha se “Kremlini po derdh qindra miliona euro për të blerë qindra mijëra vota”, teksa i bëri thirrje qytetarëve që të pengojnë rikthimin në pushtet “të atyre që tani po blejnë vota”.

Më herët gjatë së hënës, autoriteteve moldave thanë se kanë arrestuar 74 persona pasi u kryen 250 kontrolle në mbarë vendin.

Këto bastisje ishin “të lidhura me një çështje penale mbi përgatitjet për trazira masive dhe destabilizim, të cilat ishin të koordinuara nga Federata Ruse përmes elementeve kriminale”, tha Policia përmes një njoftimi.

Sipas hetuesve, Rusia kishte planifikuar të trajnonte të rinj moldavë në Serbi për taktikat që do të përdoren kundër policisë gjatë protestave.

“Misioni i tyre: të organizojnë dhunë para dhe pas zgjedhjeve”, shkroi në X shefi i sigurisë kombëtare, Stanislav Secrieru.

Udhëheqësi i opozitës proruse, ish-presidenti Igor Dodon, tha se bastisje u kryen në zyrat rajonale të partisë së tij Socialiste. Ai e akuzoi partinë në pushtet të Sandus, PAS, për “frikësim”.

“Qindra bastisje dhe sulme të përditshme ndaj kolegëve tanë… tregojnë frikën e Maia Sandus nga rezultatet e zgjedhjeve. Ata e dinë se do t’i humbin këto zgjedhje”, tha ai gjatë një konference për media.

Sipas shumicës së sondazheve të kryera para zgjedhjeve, partia PAS del të jetë në epërsi. Ndërkaq, analistët kanë thënë se rezultati i zgjedhjeve të së dielës mbetet i paparashikueshëm. Nën mandatin presidencial të Sandus, Moldavia nisi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian vitin e kaluar./REL


Shtuar 22.09.2025 22:53

Tags: ,