Presidentja e Meksikës reagon pas deklaratave të Trump për sulmet e pritshme nga toka ndaj karteleve: Duhet koordinim me SHBA-në

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi sot ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili një ditë më parë kërcënoi se SHBA mund të kryejë sulme tokësore në territorin meksikan.

Sheinbaum bëri të ditur se i ka ngarkuar ministrit të Jashtëm të ndërmarrë iniciativa për përmirësimin e komunikimit me qeverinë amerikane.

“Dje i kërkova ministrit të Jashtëm, Juan Ramón de la Fuente, të vendosë kontakt të drejtpërdrejtë me Sekretarin amerikan të Shtetit dhe, nëse është e nevojshme, të flasë edhe me presidentin Trump, me qëllim forcimin e koordinimit,” deklaroi Sheinbaum gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp.

Trump deklaroi dje në një intervistë për rrjetin televiziv Fox News se SHBA “do të fillojë tani të godasë në terren”, duke pretenduar se kartelët e drogës kontrollojnë Meksikën.