Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sapo ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë. Ai është pritur nga homologu amerikan dhe siç raportojnë mediat ndërkombëtare, është duke zhvilluar një takim “kokë më kokë” me Donald Trump, të cilit pritet t’i kërkojë armë shtesë me rreze të gjatë veprimi.
Ukrainës i duhen këto armë, veçanërisht raketat “Tomahawk”, sepse ato janë të afta për të goditur objektiva brenda territorit rus.
Ky takim i papritur vjen një ditë pasi presidenti Donald Trump njoftoi dje se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Putin, dhe të dy kishin biseduar për luftën në Ukrainë. Burime për CNN kanë bërë me dije se presidenti amerikan nuk e përjashtoi dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë.
Pas samitit midis Trump dhe Putin në Alaska, SHBA-të janë përpjekur të rrisin presionin mbi Putinin, duke përfshirë një ndryshim në ndarjen e inteligjencës, që administrata Trump shpreson se do të ndryshojë llogaritjet e udhëheqësit rus për vazhdimin e luftës.
Sipas mediave amerikane, Presidenti rus Vladimir Putin foli në telefon me Presidentin Trump të enjten, vetëm një ditë para takimit ballë për ballë të Zelensky-t në Shtëpinë e Bardhë. Telefonata u zhvillua me kërkesë të Rusisë dhe të dy udhëheqësit folën për më shumë se dy orë.
CNN raporton se Presidenti Donald Trump nuk e ka hequr dorë nga shitja e raketave Tomahawk për NATO-n për përdorim nga Ukraina. Në të njëjtën kohë, Trump nuk ka gjasa t’i ofrojë ato të premten.