Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë t’i dorëzojë territore Rusisë.
Në një ceremoni në ditën e flamurit të vendit, se qytetarët ukrainas në territoret e pushtuara e dinë se Kievi zyrtar nuk do ia japë tokën pushtuesve.
“Ky flamur është një qëllim, një qëllim dhe një ëndërr për shumë nga njerëzit tanë në territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës. Ata e çmojnë këtë flamur, e çmojnë sepse e dinë se ne nuk do t’ua japim tokën tonë pushtuesve. Ky flamur simbolizon atë që është më e çmuar për qindra mijëra ushtarë tanët, burra dhe gra nga e gjithë Ukraina, të cilët po mbrojnë gjithë vendin”, ka thënë Zelensky.
Shkëmbimi i territoreve mes Rusisë dhe Ukrainës ka qenë në qendër të vëmendjes javët e fundit, pasi çështja u diskutua në takimin e Donald Trump me Vladimir Putin në Alaska dhe më pas në takimin me Zelensky në Uashington.
Rusia ka kërkuar Krimenë dhe Donbasin, si kusht për të ngrirë konfliktin në vijën e frontit dhe për të mos nisur sulme për të marrë territore të reja.
Kreu i shtetit ukrainas e ka përsëritur vazhdimisht se nuk do të dorëzojë asnjë territor, pasi kushtetuta e vendit të tij nuk ia lejon diçka të tillë.
Ndërkohë Donald Trump dhe administrata e tij e kanë bërë të qartë se as Kievi dhe as Moska nuk mund të marrin çfarë kërkojnë.
Trump i ka kërkuar Zelenskyt të jetë më fleksibël në procesin e negocimit ndërsa ka vendosur një afat dy javor për Putin, që të takohet me homologun e tij ukrainas dhe të bisedojnë për t’i dhënë fund luftës.