Presidenti Mahmoud Abbas përshëndet njohjen e Palestinës nga Britania: Një hap drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka reaguar sot pas vendimit historik të Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetin e Palestinës.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga presidenca palestineze, Abbas e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm dhe të domosdoshëm drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Presidenti i Shtetit të Palestinës, Mahmud Abbas, përshëndet shpalljen e njohjes nga Mbretëria e Bashkuar të shtetit të pavarur palestinez, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm dhe të domosdoshëm drejt konkretizimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Deklarata vjen pasi Britania, Kanadaja dhe Australia shpallën të dielën njohjen zyrtare të shtetit palestinez, në një lëvizje të përbashkët që sinjalizon një orientim të ri diplomatik nga fuqitë perëndimore drejt një zgjidhjeje me dy shtete në Lindjen e Mesme.

Presidenti Abbas ka qenë prej kohësh një mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes me dy shtete dhe ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa konkretë për të njohur të drejtat legjitime të popullit palestinez.


Shtuar 21.09.2025 17:26