Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka pritur ditën e sotme në Florida kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu duke e rikthyer dhe njëherë fokusin tek konflikti në Lindjen e Mesme një ditë pas takimit me Volodymyr Zelenskyn.
Ashtu siç ndodhi dhe me Zenelskyn, Trump qëndron i ulur përballë Netanyahut në tryezën e Mar-a-Lago.
Për mediat e teksa në krah i qëndronte Netanyahu, Trump tha se do të shkatërronte Iranin nëse do të kishte një përpjekje prej tyre për tu riarmatosur.
“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtohet përsëri, dhe nëse po, do të na duhet t’i rrëzojmë, do t’i rrëzojmë, do t’i shkatërrojmë plotësisht. Por shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Kam dëgjuar që Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Nëse ata duan të bëjnë një marrëveshje, kjo është shumë më e zgjuar. E dini, ata mund të kishin bërë një marrëveshje herën e fundit, përpara se ne të bënim një sulm të madh ndaj tyre. Mendoj, përsëri, se ata duhet të bëjnë një marrëveshje. Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Por ndonjëherë kjo nuk ndodh”, tha Trump.
Trump gjithashtu u përgjigj dhe për rindërtimin e Gazës të shkatërruar nga bombardimet izraelite. Presidenti i SHBA-së u shpreh se rindërtimi do të fillojë së shpejti.
“Mendoj se do të fillojë shumë shpejt. Çfarë rrëmuje është. Dhe ka qenë një rrëmujë për shekuj me radhë. Ka qenë një rrëmujë për një kohë të gjatë. Duket se është krijuar për këtë. Por ne do ta rregullojmë. Tashmë po fillojmë disa gjëra. Po bëjmë gjëra për kushtet sanitare dhe të tjera. Por Gaza është një vend i vështirë, e dini shprehjen – është një lagje e vështirë. Është vërtet një lagje e vështirë”, tha Trump.
Nga ana tjetër, Netanyahu foli me superlativa për SHBA-në dhe presidentin Trump duke e cilësuar si fati më i madh i kësaj bote.
“Ne kurrë nuk kemi pasur një mik nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mendoj se nuk është thjesht fati i madh i Izraelit. Mendoj se është fati i madh i botës”, tha Netanyahu.
