Polonia paralajmëroi presidentin rus, Vladimir Putin që të mos fluturojë përmes hapësirës së saj ajrore për të marrë pjesë në samitin e planifikuar në Hungari me homologun amerikan, Donald Trump.
Autoritetet polake njoftuan se në rast se Putini shkel territorin ajror polak, do të detyrohen të zbatojnë një urdhër arresti ndërkombëtar, raporton reuters.
Ndryshe, Bullgaria u shpreh e gatshme të lejojë fluturimin e Putinit në hapësirën e saj ajrore gjatë rrugës për në Hungari, sipas ministrit të Jashtëm bullgar, Georg Georgiev.
Trump, javën e kaluar, foli për mundësinë e një takimi me Putinin në Budapest, ndërsa përpiqet të ndërmjetësojë një paqe që do të ndalojë luftën. Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka nxjerrë urdhër arresti ndaj Putinit, duke e akuzuar për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina. Rusia refuzon të njohë juridiksionin e GJNP-së dhe hedh poshtë këto akuza.
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, paralajmëroi për Radio Rodzina se nuk mund të garantojë që një gjykatë polake nuk do të urdhërojë qeverinë të arrestojë Putinin në rast se ai fluturon në hapësirën ajrore polake për t’u dorëzuar në Hagë.
Urdhri i GJNP-së kërkon nga të gjitha shtetet anëtare të arrestojnë Putinin nëse ai kalon në territorin e tyre. Sikorski shprehu shpresën që nëse samiti zhvillohet me sukses dhe me praninë e Putinit, aeroplani i tij do të marrë një rrugë alternative për të shmangur përplasjen me ligjin.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka marrëdhënie më të ngushta me Rusinë se sa me shumë vende të Bashkimit Evropian. Autoritetet e Budapestit kanë premtuar se do të sigurojnë pjesëmarrjen e Putinit në samit dhe kthimin e tij në Moskë.