“Po vrasin njerëzit e tyre”, Izraeli: Raketat e Hamasit ranë në Gaza

Një e pesta e raketave të lëshuara nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik në 24 orët e fundit ranë në Gaza, duke vrarë civilë, sipas ushtrisë izraelite (IDF).

Në veçanti, në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari , foli për më shumë se 500 raketa.

“Ata po vrasin njerëzit e tyre,” tha ai.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha të shtunën se numri i personave të konfirmuar se mbaheshin peng në Gaza ishte 210, duke paralajmëruar se numri mund të ndryshojë ndërsa hetimet vazhdojnë.

Hagari tha se rreth 700,000 palestinezë tani janë zhvendosur në jug të Gazës ndërsa bombardimet ajrore vazhdojnë.

Ushtria izraelite premtoi gjithashtu një ofensivë “madje më të fortë” kundër Hamasit, në mënyrë që të kthejë të gjithë të rrëmbyerit.

“Mesazhi është i qartë: kushdo që përpiqet të depërtojë do të vritet dhe kushdo që qëllon kundër Izraelit do të goditet,” tha Hagari.

Hamasi: Fati i pengjeve të ushtrisë izraelite varet nga përfundimi i “agresionit” të Izraelit në Gaza

Nga ana e tij, Hamasi tha sot se nuk do të diskutojë për fatin e pengjeve të ushtrisë izraelite derisa Izraeli të ndalojë “agresionin” e tij në Rripin e Gazës.

“Pozicioni ynë në lidhje me ushtrinë izraelite është i qartë: ai ka të bëjë me një shkëmbim (të mundshëm) të të burgosurve dhe ne nuk do ta diskutojmë atë derisa Izraeli të përfundojë agresionin e tij në Gaza dhe palestinezët,” tha zyrtari i Hamasi, Osama Hamdam nga Libani gjatë një emisioni televiziv./Albeu.com


Shtuar 21.10.2023 19:09